Çfarë u hodh sot në rrugët e Shkodrës? Punonjësi tregon të vërteten tronditëse

Një skandal i vërtetë është shënuar nga bashkia Shkoder prej orëve të para të mëngjesit, ku gjoja në rrugët e qytetit u shfaqen pamjet sikur po hidhej kripë e fadromat po pastronin borën.

Duke e cilësuar madje sukses në propagandën e saj që shpejtoi ta bëjë publike në media, rrjete sociale e kudo, Voltana Ademi me pafytyrsinë më të madhe tha se rrugët po pastrohen, por të lëvizësh në to është një makth i vërtetë, burim aksidentesh për mjetet dhe këmbësorët.

Në redaksinë e Shkodranews ka mbërritur një mesazh që i nxjerr fytyrën e vërtetë Ademit, drejtuesve të ndërmarrjes së ujësjellës kanalizime dhe të gjithë strukturave që shpejtuan të bëjnë fasadë me kushtet ekstreme të motit.

“Përshëndetje, ju lutem po ju a kërkoj që në fillim anonim pasi rrezikoi seriozisht vendin e punës. Ajo cfarë u pa sot në rrugët e qytetit ishte turp dhe tallje me njerëzit, e për mua edhe vjedhje e pastër. Në asnjë moment nuk kemi hedhur kripë në rrugë, por përzierje e skorjes të një cilësie tejet të dobët me dhe.

Rezultatin besoj e keni parë më se miri, bora u nxi në pak minuta por nuk u shkri, duke krijuar më shumë ndotjes dhe asgjë tjetër. Në cdo vend të botës përdoret kripe e zezë e trashë që në pak minuta bën shkrirjen e borës dhe rrugët e trotuaret i bën lehtësisht të kalueshme, duke mos krijuar rrëshqitje. Tek ne kjo nuk bëhet pasi kuptohet cmimi i saj është më i lartë sesa kjo përzierje mbeturinash që ndot rrugët e nuk shrin borën. Ju faleminderit po e publikuat”.

Në fakt ky mesazh nuk bën asgjë tjetër vetëm fakton atë që të gjithë kemi parë, me një situatë katastrofale që kanë rrugët e qytetit prej mëngjesit. Ato jo vetëm kalohen me shumë problem duke krijuar rrëshqitje të mjeteve, por në të njëjtën kohë janë bërë burim aksidentesh, ku vetëm në pak orë nga të dhënat e siguruara prej redaksisë së Shkodranews, janë mbi 12 përplasje të ndodhura në qytet të makinave, si dhe një aksident me dalje të mjetit nga rruga në Shkoder – Han i Hotit.

Por Voltana Ademi nuk ka kohë të merret me problemet reale të qytetit dhe nuk do t’ia dijë për pasojat e rënda që lë pas dëbora e rënë, pasi për të me interes është dalja propagandistike, gënjeshtra e artikuluar pafytyrsisht në media dhe në fund gllabërimi i parave të qytetareve, me argumentin se gjoja po punohet.

Të gjithë patën rastin ta shohin se si me zë dhe figurë, përballë asgjëje ajo nuk ndalet që të përmbush orekset e saj të shfrenuara, e nëse i duhet me thjeshtësinë më të madhe gënjen, edhe kur ajo është lehtësisht e verifikueshme!/ShkodraNews