Çmendet lapsi në dorën e Voltana Ademit, nuk do të lejojë ti shpëtojnë këto tendera të fundit

Fundi i mandatit nuk po e frenon Voltana Ademin që të hapë çdo lloj tenderi të mundshëm, e të bëjë blerje, gjoja me argumentin se po kërkon tu japë zgjidhje problematikave që ka qyteti, e për të cilat shumë pak u kujdes në 3 vite e gjysëm të mandatit. Së fundmi ajo është kujtuar të çelë tenderin me vlerë 4 milion e 166 mije e 666 lekë për blerjen e një mjeti zjarrfikës që do të jetë në dispozicion të repartit zjarrfikës.

Në fakt një shërbim ky i domosdoshëm për të cilin ajo nuk bëri qoftë edhe një lëvizje të vetme në këto 3 vite mandati të plotë, e që shpejton ta bëjë në muajt e fundit të detyrës dhe mundësisë për të hedhur firma për këto blerje. Bashkë me këtë blerje, ajo i ka shtuar edhe një tender për: “Blerje dhe Rimbushtje fikse Zjarri, Sensor tymi“ me vlerë 3 milion e  498 mijë e 816 lekë. Se përse po vijnë këto veprime të nxituara në pak muaj, si në aspektin e blerjeve ashtu edhe të investimeve publike, këtë më mirë se askush di ta thotë kryetarja e bashkisë dhe stafi i ngushtë i saj, që kanë ruajtur këto rezerva, tani kur në fakt do të duhej të ishin muajt e përfundimit të shumë punëve publike, e jo të nisjes së tyre e mbylljes me shpejtësi, me qëllimin e vetëm që të kapet shiriti elektoral.

Loja e pisët politike që ka llogaritur të bëjë kryebashkiakja e Shkodrës nuk i shërben së pari qytetit, e aq më shumë kredos së saj, që do të duhej të ishte tjetër dhe jo ky i një makinë llogaritëse të çakorduar, që rrezikon të prishë edhe ato ekuilibra të brishtë politik që janë ndërtuar nga e djathta në qytetin verior. Nuk dihet se cili do të jetë hapi i radhës që do të hedhë Voltana Ademi, por një gjë është e sigurtë se brenda mjediseve të punës në bashki, po luan të gjitha gurët për të përfituar deri në pikën e fundit.

Ajo madje nga burime të brendshme thuhet se po punon për filtrimin e të gjitha dosjeve të brendshme dhe përmbylljes në kohë të tenderave publik që janë parashikuar për 2019-en, që në muajt e ardhshëm të mos rrezikohen nga proçesi zgjedhor i 30 qershorit.