Covid “gjunjëzon” biznesin e vogël në Shkodër



Ekonomia është një nga sektorët më të goditur prej Covid 19, e ku biznesi i vogël dhe ai i mesëm patën luhatjet më të forta. Shumë subjekte u detyruan që për shkak të pamundësisë për të përballur efektin krizë, të ulin qepenat, duke lënë në rrugë të punësuarit, apo vetë kryefamiljarët pa një të ardhur. Bilanci që vjen nga drejtoria e përgjithshme e tatimeve tregon anën e errët të pandemisë në atë që prej vitesh cilësohet si sektori i brishtë, “biznesi i vogël”.



Kompanitë që kanë kaluar në status pasiv gjatë periudhës 1 maj- 31 tetor tregojnë se numri i tyre u rrit me 34%. Në total, mbi 4900 subjekte kanë kaluar në status pasiv gjatë këtyre 6 muajve (periudha mars-prill nuk është marrë në konsideratë, pasi në atë periudhë bizneset e kishin pothuajse të pamundura të bënin veprime). Ndonëse ekonomia filloi të hapej gradualisht pas majit, konsumi vijoi të ishte i tkurrur, duke detyruar shumë subjekte të mbyllin dyert.



Ndër bilancet më të rënda në shkallë kombëtare e ka Shkodra, që rezulton të jetë një prej qarqeve me numrin më të madh të bizneseve që kanë kaluar me status pasiv, plot 65% më shumë subjekte të kaluara, duke arritur në 414. Drejtues të tatimeve thonë se shumë prej tyre janë biznese që kanë vite të cilat operonin në qarkun e Shkodres, e vetëm një numër i ulët, thuajse i papërfillshëm janë biznese të reja të hapura në 2 vitet e fundit.

Kalimi me këtë status ka ardhur për shkak se nuk kanë përballuar pasojat që shkaktoi pandemia si: ulja e fuqisë blerëse, rritje të kostove, apo pamundësi për të mbajtur në punë persona të dytë e të tretë. Bizneset e vogla rezultojnë më të goditurat, ndërsa të mëdhenjtë po e përballojnë më mirë krizën. Në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj ka vetëm pak kompani që kanë kaluar në status pasiv, kryesisht pasi janë ristrukturuar apo shitur. Edhe pse këto biznese përfituan pagën e luftës nga ana e qeverisë, shumat e marra i cilësojnë të pamjaftueshme, e madje në disa raste ato kanë mbyllur me ato lekë borxhet apo sigurimet shoqërore e shëndetësore.