Ç’po ndodh me euron? K.oronavirusi e prek edhe atë, ja sa kanë arritur shifrat



Monedha e përbashkët ka shënuar një rritje të fortë përgjatë dy ditëve të fundit, duke u ngjitur sot në kuotën e 122.48 lekëve, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Ky është niveli më i lartë i këtij viti dhe më i larti që prej fillimit të dhjetorit të vitit të kaluar.



Aktorët e tregut pohuan për Monitor se arsyeja e kryesore e forcimit të euros është ndikimi i tregjeve ndërkombëtare. Euro është forcuar në bursa përkundrejt dollarit. Për shkak edhe të volumeve të ulëta tregtare, forcimi në tregjet ndërkombëtare është reflektuar më shumë në tregun vendas. Ekspertët përjashtojnë ndikimin nga përhapja e Coronavirusit në Itali dhe vende të tjera të Europës.



Në bursat ndërkombëtare euro është forcuar ndjeshëm gjatë dy ditëve të fundit, pasi kishte rënë ndjeshëm poshtë 1.08 dollarëve në 25 shkurt pas shqetësimeve për përhapjen e k.oronavirusit në Itali dhe kthimit në një pandemi, duke iu afruar nivelit më të ulët nga prilli 2017. Një euro u këmbye sot në bursa me 1.094 dollarë, me një rritje prej 0.61% me bazë ditore.

Euro e mori disi veten kundrejt monedhës së gjelbër gjatë ditës së sotme, pasi tregtuesit po presin raportin se Ministri i Financave të Gjermanisë po shqyrton lehtësimin e shtrëngimeve fiskale me qëllim nxitjen e ekonomisë që ka ngecur.

Bursat kanë qenë të trazuara ditët e fundit, pasi virusi tani po përhapet më shpejt jashtë Kinës sesa brenda, duke shkaktuar frikë se ndikimi ekonomik i frenimit të udhëtimit, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe kërkesa në rënie mund të jenë shumë më të mëdha nga sa parashikohej më parë.

Agjencia Vlerësuese Moody’s ka thënë se nëse epidemia kthehet në pandemi, atëherë rrezikohet një recesion global. “K.oronavirus ka qenë një goditje e madhe për ekonominë kineze, e cila tani po kërcënon të trokasë ekonominë globale nga biznesi. Një recesion global ka të ngjarë të ndodhë nëse COVID-19 do të shndërrohej në një pandemi, dhe shanset për këtë ndodhi janë të larta, ndërsa rastet në Itali dhe Korenë e Jugut rriten. Ekonomia amerikane është më e izoluar nga ndikimi i virusit, por nuk është imun, dhe madje në këtë skenar ndoshta do të pësonte rënie”, tha agjencia./monitor