Dashamir Shehi tregon kujtimet me Fatos Baxhakun: Të tjerët u bënë me shofer, ti ike me duar në xhepa

Ish-deputeti Dashamir Sheji, me anë të një statusi në Facebook, ka sjell disa kujtime me gazetarin Fatos Baxhaku. Shehi shkruan se është larg dhe nuk mundi të shkonte dot në varrimin e gazetarit, por i ka nisur disa fjalë.

“Të tjerët u bënë të famshëm, të pasur, të pushtetshëm. Të tjerët u bënë me studio, u bënë me redaksira televizionesh, u bënë me shoferë, me sekretarë, u bënë me vila dhe hotele. Baxhaku iku me duar në xhepa. Iku sic ikin të Mirët”, shkruan politikani.

Ditën e djeshme, në moshën 55-vjeçare është ndarë nga jeta gazetari dhe publicisti i njohur Fatos Baxhaku. Ai prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë që e kishte tërhequr nga gazetari. Baxhaku u shua sot në banesën e tij duke humbur përgjithmonë luftën e gjatë më sëmundjen. Pas vdekjes së tij ka pasur me qindra reagime, nga miq dhe kolegë të tij.

REAGIMI I PLOTË

Në kujtim të një miku të mirë. Më fal Fatos, nuk munda të vij. Jam pak larg. Por po të nis disa fjalë.

Iku Baxhaku. Iku i miri. Nuk ishte më i “zoti”, nuk ishte më i “shkathti”, nuk “ngjitej”, nuk “shkëlqente”, ishte thjesht i Miri. Ishte i sinqertë, ishte i ndjeshëm, ishte i vërtetë. Ishte thjesht Baxhaku. Ishte bohemi i fundit i gazetarisë. Të tjerët u bënë të famshëm, të pasur, të pushtetshëm. Të tjerët u bënë me studio, u bënë me redaksira televizionesh, u bënë me shoferë, me sekretarë, u bënë me vila dhe hotele. Baxhaku iku me duar në xhepa. Iku sic ikin të Mirët.

La pas një mal me punë dhe pasion. Bëri vepra që nuk i bëjnë dot të tjerët, sepse ishte më i vërteti, më i sinqerti. La në mes punë (sic është “Historia e Shqipërise në ekran”) të cilat, miqtë dhe kolegët, studiot dhe sponsoret, e kanë për detyrë t’i përfundojnë për të respektuar kujtimin e një njeriu, që e desh profesionin e tij më shumë se veten e tij.

Ne të tjerëve do na mungojë. Do na mungojë tek “Books friends” me diskutimet e gjata për letërsinë dhe kulturën (se Baxhaku ishte i kulturuar: si Elbasanas dhe i biri i Profesorit). Do na mungojë me shakatë dhe historitë e qytetit tek “Kafe Viena” se Baxhaku kishte humor. Do na mungojë në Pogradec buzë liqenit, ku organizonte cdo vit një festival simpatik të filmit. Do na mungojë të gjithëve ky njeri i Mirë, që iku në qetesi, pa bërë zhurmë, pa bujë, pa shqetsuar njeri. Sic ikin të Mirët.

U prefsh në paqe, Miku im!