Dashnorët e remë të kushtetutës

Nga Andi Bushati

Nuk ka dyshim se Ilir Meta ka marrë jo vetëm një vendim të pa precedent, por edhe shumë të debatueshëm, duke vendosur të mos i dekretojë Ramës kandidaturën për ministër të brendëshëm.

Ai nuk ka ndjekur as trashëgiminë e parardhësve të tij, që nuk kanë guxuar t’a hedhin këtë hap dhe as shembujt më të mirë të presidencës së vet, kur ka shpjeguar me detje aktet e forta që ka ndërmarrë.

Por, këto pikëpyetje që e bëjnë edhe më të mistershme “djegjen” e Sandër Lleshit, sado të errëta qofshin, nuk e justifikojnë aspak kryqëzatën e ndyrë që të gjithë mbështetësit e Rilindjes kanë nisur kundër presidentit.

Sepse, po të shihet me kujdes, i gjithë mllefi i tyre buron nga një premisë: nga dashuria e tyre për ligjin themeltar të shtetit, i cili po u përdhoska nga presidenti që përfiton nga fakti se vendi gjendet pa gjykatë Kushtetuese.

Duhet thënë që në fillim, se dashnorët e rinj të kushtetutës, nuk flasin si kostitucionalistë, por thjeshë si ramistë.
Sepse po të ishin të merakosur për të parën, ata do ta kishin ngritur zërin me kohë. Ata do të kishin folur kur çorba speciale e grabitjes Rama – Fusha u miratua në parlament, ata do të kishin reaguar kur ligjet kundër ish pronarëve ndryshuan sipas orekseve të pushtetit, ata do të kishin ngritur zërin kur marrëveshja e detit me Greqinë përparonte në fshehtësi nga publiku.

Të gjitha këto kanë ndodhur në mungesë të një Gjykate Kushtetuese dhe askush nga kritikët e sotëm të Ilir Metës nuk është ndjerë.

Sepse atyre nuk u intereson ligji, por idhulli i tyre i paprekshëm.
Në fakt i gjithë ky debat, që mund të zhvillohhet vetëm nga një grusht i vogël juristësh të kualifikuar, i ngjan, në thelb, një diskutimi tejet më banal, që po gëlon në të njëjtat mjedise. Ato njëzëri po i referohen pjesëve nga libri KURBAN, ku Rama e përshkruan vëllain e tij armik të së majtës, si një paranojak të çekuilibruar.

Pra edhe këtu, ata e shohin fajin tek Meta, që në rastin e mosdekretimit po sillet fiks ashtu sikurse kryerilindasi e kishte portretizuar në vitin e largët 2011.
Kulmi i mungesës së sinqeritetit.

Sepse po t’i kishin besuar vërtet atyre që kanë lexuar në sibiblën e tyre KURBAN, së paku do ti kërkonin Ramës llogari, kur vendosi të bëjë qeveri me Metën n 2013, apo do ta bënin copë e çikë kur vendosi ta bëjë kryetar shteti në 2017.

Atëherë heshtën. Prandaj sot sa herë që falsin, nuk e bëjnë nga besimi, por nga nevoja dhe nga hidhërimi.

Prandaj, nëse duam të diskutojmë për precedentin e fortë që ka vendosur presidenti, nëse duam të kuptojmë zërat pro dhe kundër tij, nëse mëtojmë të gjejmë aryet e drejta apo të errëta të Ilir Metës, së pari duhet të bëjmë dy gjëra.

Fillimisht duhet të heqim mënjëanë daullexhinjtë që bëjnë zhurmë për llogari të Edi Ramës. Dhe pastaj duhet të kërkojmë ringritjen e një Gjykate Kushtetuese, mungesa e së cilës nuk i shërbeka vetëm mëkateve të pafundme të kryeministrit. Ajo mund tu përdorka njësoj edhe nga kundërshtarët e tij.

Lexo edhe: