Dasma VIP sonte në Tiranë, detajet e ceremonisë luksoze me 300 të ftuar te aktori i dashur

Pak orë pas celebrimit në tarracën e Bashkisë, organizohet dasma VIP e shumëpërfolur e Gaz Pajës.

Kishte zgjedhur 1 Qershorin, festën e femijëve dhe ditën kur PS celi fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit dhe ku ai garon.

Dasma e Gazit organizohet sot në mbrëmje në ambientet e hotelit luksoz “Plaza” në qendër të Tiranës.

Të ftuarit kishin disa ditë që morën ftesat e babait të njohur, Luftar Paja, dhe nënës së tij, ku mbi 300 miqtë e përzgjedhur i ftojnë të marrin pjesë në dasmën e djalit të tyre me bionden shumë simpatike, një vajzë e panjohur në publik.

Edhe pse artisti është përpjekur që t’i mbajë deri diku diskrete detajet e ceremonisë luksoze me shumë personazhe të famshëm të të gjitha fushave, “Panorama Plus” ka zbuluar se do të jetë një mbrëmje e gjatë që do t’i ngjasojë një koncerti, pasi në dasmën e Gazit do të performojnë disa këngëtarë.

Nuk dihet nëse në kulmin e dasmës, dhëndri më i ri në qytet do të marrë mikrofonin dhe të performojë këngët e tij të preferuara, shumë prej të cilave ka arritur t’i realizojë si profesionist i vërtetë në netët e spektaklit të humorit. Me kostumet e dizenjuara nga stilisti Joni Peçi, Gazi do të jetë në stilin “haute couture”, ashtu siç meriton një natë e veçantë si ajo e dhëndërisë.

Muzika do të jetë një miks e të gjitha trevave të Shqipërisë dhe, natyrisht, që për ceremoninë do të respektohen të gjitha fazat, që nga koktejli i pritjes së të ftuarve, kulminacioni me djegien e shamisë së beqarit, momenti i tortës dhee puthjes së çiftit dhe patjetër që do të ketë dhe mbyllje ekzaltuese siç është heqja e kravatës dhe argëtimi pa frena. Nuk dihet nëse Gazi do të postojë video live apo “Story” në “Instagram” nga ceremonia, edhe pse këtë nuk e bëri as me festën e beqarisë.

Ndërkohë që, partnerja e tij Ira postoi në “Instagram” disa albume me foto nga festa e beqarisë në bregdet, Gazi preferoi ta “ngrijë” “Instagram”-in këto ditë para dasmës, duke e konsideruar këtë si një moment të rëndësishëm për të cilin duhet ruajtur privatësia. Aktori i njohur i spektaklit të humorit “Portokalli”, vendos t’i japë fund beqarisë në moshën 41- vjeçare.