Data kur vdiq Enveri, zbulohet si e ka pritur lajmin Lasgush Poradeci

Nga Meri Lalaj

Lajmin se vdiq Enveri, në Pogradec na e solli helikopteri. (Në çdo qytet të Shqipërisë fluturuan helikopterët, këta lajmëtarë të Komitetit Qendror të Partisë. Kudo nëpër rrethet e vendit u mblodhën në salla të caktuara komunistët, që ta kthenin dhembjen në forcë.) Unë e mora vesh lajmin aty rreth orës dhjetë të paradites së datës njëmbëdhjetë, ma tha një grua komuniste me lot në sy (në orën dymbëdhjetë, në emisionin e lajmeve në radio, u dha komunikata e plotë për këtë ngjarje). Sapo e mora vesh lajmin, erdha me nxitim në shtëpi dhe u putha me time bijë, që ishte e sëmurë me rubeolë, duke i thënë: “Shpirt i mamit, të më rrosh ti, se Enveri na e mori të keqen!” Vajza ime ka të atin në burg, se ia ka futur Enveri, gjyshin ia ka varur në litar Enveri, stërgjyshin ia ka pushkatuar Enveri. Mendimi i parë që më erdhi në kokë në ato çaste, ishin fjalët e Mirit, kushëririt tim shkodran: “Tan Shkodra e ka rujt rakinë me e pi ditën kur të vdesë Enveri!” Dhe, o Zot, çfarë mrekullie që vdiq para Lasgushit! Dihej nga të gjithë se do ta zëvendësonte Ramiz Alia, dhe unë solla në mendje një ndodhi që më pati treguar Lasgushi, kur ishte profesor dhe jepte mësim në gjimnazin e Tiranës. Në një orë mësimi, vizatim më duket, Lasgushi u dha nxënësve një detyrë dhe u ul në katedër për të lexuar a shkruar. Befas dikush theu qetësinë e klasës. Lasgushi u ngrit i inatosur dhe i bërtiti një nxënësi që ishte më i vogli nga të gjithë: “Pusho, mos bëj zhurmë!” ( a diçka të tillë) Më vonë, kur u ngrit përsëri për t’i hedhur një sy klasës, nxënësi i vogël që e shau Lasgushi, ishte duke qarë; atëherë Lasgushi nxori nga xhepi i sipërm i xhaketës së tij shaminë e bardhë të mëndafshtë të hekurosur dhe ia fshiu lotët. Ky nxënës ishte Ramiz Alia. Gjatë viteve të pushtetit popullor, ndërsa Ramiz Alia punonte në Komitetin Qendror dhe drejtonte kulturën e artin shqiptar, Lasgushit i qëllonte hera-herës që të shkonte tek ai. Dhe ai (Ramizi) natyrisht që e priste, por Lasgushi kurrë nuk pati privilegje nga pushteti në fuqi. Kështu Lasgushi (siç e kam shkruar gjithnjë) torturohej për të gjetur një makinë për të ardhur në Pogradec ose për t’u kthyer në Tiranë, në kohën që komunistët u binin kontinenteve kryq e tërthor me supersonikë për të mbrojtur të pastër marksizëm-leninizmin kudo në botë. Lasgushi kurrë nuk shkroi një varg për Enverin a për Partinë, sepse ai nuk ishte dhe nuk donte të ishte sahanlëpirës (një fjalë që e përdorte aq shpesh për ata që e shisnin veten dhe talentin e tyre.) Vetëm një herë më ka thënë, dhe mua më përvëloi shpirtin me këto fjalë: “Më duket sikur tani ata (të diktaturës) po më besojnë se unë nuk po influencoj më te rinia”. Lasgushi ishte i vetëdijshëm se në çdo çast e përndiqnin, por nuk e përfilli kurrë përndjekjen. Enver Hoxhën ai e shante vetëm kaq: “Mut i mutit!” Shtatë ditë e shtatë net vazhdoi zia kombëtare për vdekjen e Enverit, lumenj lotësh e të tjera e të tjera. Ditën kur po e varrosnin, në shtëpinë e Lasgushit në Tiranë, kishin ardhur fqinjët për të ndjekur transmetimin televiziv të varrimit. Lasgushi hyn e del në dhomën ku janë fqinjët, pyet se kush ka vdekur, i japin përgjigje, përsëri hyn e del, pyet përsëri, i japin përgjigje dhe ai disi i çuditur thotë: – A, a, nuk e ditkërkam! – Përsëri hyn e del dhe, meqenëse ceremonia e përmortshme zgjat shumë, ai pyet i habitur: “Po tani çfarë po i lëvdojnë akoma ?” Pas vdekjes së Lasgushit se nga doli një fletë ditari e shkruar (gjoja) nga E. Hoxha në gusht 1981, na mblodhën dhe na e lexuan në Degën e Lidhjes së Shkrimtarëve të rrethit në Pogradec, u botua në gazetën “Driloni” ditën e enjte, më 22 dhjetor 1988.