Debutoi me Vllazninë, portjeri shkodran rrëfen emocionet e sfidës me Erzenin

Me Sherrin dhe Selimaj të dëmtuar, drejtuesit e Vllaznisë u gjendën në vështirësi në prag të ndeshjes me Erzenin. Nuk kishin një portjer me eksperiencë për të përballur këtë sfidë delikate, ku nuk duhej humbur. Por, zgjidhja erdhi nga Akademia Vllaznia, aty ku lojtarët nuk mbarojnë kurrë por dalin çdo vit të rinj të talentuar.

Në këtë rast flasim për portjerin 18-vjeçar, Kristi Qarri. Trajneri Agim Canaj bashkë me ndihmësin e tij, trajnerin e portjerëve Ideal Lekiqi vendosën ta grumbullonin Qarrin me ekipin e parë dhe madje duke e aktivizuar që nga minuta e parë. Në një prononcim për Shkodra.News, Qarri flet për debutimin me ekipin e parë të Vllaznisë.

“Që kur më kanë njoftuar se do jem pjesë e formacionit për ndeshjen me Erzenin, mund të them se isha shumë i gëzuar, po ashtu edhe i emocionuar. Në fakt, në 5 minutat e para të takimit kisha pak emocione, pastaj u ambjentova me ndihmën e shokëve që më kanë dhënë kurajo shumë të madhe. Jam i kënaqur që nuk pësova gol ndaj Erzenit, por në këtë ndeshje kisha një përgjegjësi shumë të madhe të mbroja portën e Vllaznisë.”

Por, Qarri ka edhe falenderime për ato që ia besuan portën e Vllaznisë në këtë sfidë, ndërkohë tregon edhe objektivin e tij.

“Pas ndeshjes, trajneri Canaj më uroi për paraqitjen. Edhe una dua ta falenderoj shumë për motivimin që më ka dhënë para ndeshjes. Por, dua të falenderoj edhe trajnerin e portjerëve Ideal Lekiqi që më ka dhënë shumë besim dhe që më ka afruar në ekipin e parë. Objektivi im është që të dal kampion me Vllazninë dhe të luajmë në Kupat e Europës. Përsa i përket Vllaznisë U-19, besoj se jemi në rrugën e duhur, sepse jemi në vendin e parë, por akoma nuk ka përfunduar asgjë. Gjithsesi, me ndihmën e profesor Zmijanit dhe Kolës, besoj se edhe këtë vit do ja dalim të shpallemi kampjon.” – shprehet portjeri i ri shkodran. /ShkodraNews

Lexo edhe: