Deklarata e trajnerit të Partizanit, drejtuesi i Vllaznisë e nxjerr bllof

Deklarata e trajnerit të Partizanit Skënder Gega se “Partizani nuk është Vllaznia” përsa i përket aktivizimit të sulmuesit Çinari ka prodhuar debate në rrjetet sociale nga tifozët shkodranë. Natyrisht një deklaratë e tillë nuk është pritur aspak mirë nga tifozët.

Por, një reagim vjen edhe nga drejtori i Akademisë Vllaznia, Alban Hasani. Në një prononcim për Shkodra.News, ai nxjerr bllof trajnerin Gega, pasi Çinari nuk është aktivizuar asnjëherë me Vllazninë në Kategorinë e Parë.

“Kam një respekt shumë të madh për trajnerin Gega për rikthimin e titullit pas 26 viteve te Partizani. Por, është i informuar gabim. E para Çinari nuk ka luajtur asnjëherë në kategori të parë, por vetëm në superligë për afro 3 vite, ku ka qenë golashënuesi jonë më i mirë.
E dyta është aktivizuar me ekip të parë si lojtarë formacionit që në moshën 17-vjeçare, kur në ekip ishte trajner Baldo Ranieri e pas tij ishte Luan Zmijani, ku përkrah tij janë aktivizuar Sherri, Gurishta, Hakaj, Kalaja, Vecaj, Hebaj.
Dhe e treta, Vllaznia është Vllazni e pavarësisht se kemi rënë në një kategori më poshtë të paktën ngushëllohemi se nuk e kemi provuar kategorinë e tretë si Partizani.
Zotëri të nderuar VLLAZNIA nuk është ekip që merret për shembull negativ, sepse kemi qenë, jemi dhe do të jemi ekipi më i mirë në Shqipëri, ku kemi respektuar të gjithë ekipet shqiptare dhe sidomos Partizanin, ku i kemi dhënë gjithmonë lojtarët tanë më të mirë në të gjitha aspektet.” – thekson Hasani. /ShkodraNews