Del informacioni sekret, si po mbahet peng investimi 7 milion euro në Malësinë e Madhe

Edhe pse është cilësuar si një projekt pozitiv, ai nuk po gjen zbatim.

Një mega-investim me vlerë mbi 7 mln euro po mbahet ‘peng’ nga ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës.

Bëhet fjalë për projektin e Parkut Fotovoltaik të shfrytëzimit të energjisë diellore që do të vendoset në zonën e Shkrelit që ndodhet në Lahja të Poshtme të Malësisë së Madhe.

Energjia diellore ka vite që përdoret në vendet e zhvilluara, duke u konsideruar si burim energjie i padiskutueshëm në të ardhmen, sepse ajo është një burim jetik, lëndë e parë e aktivitetit të njeriut që po bëhet gradualisht edhe më e rëndësishme në shoqëri. Shqipëria e ka të domosdoshëm investimin për këtë lloj energjie pasi edhe sot në vitin 2019, ende nuk është në gjendje të përmbushë nevojat minimale energjetike.

Shoqëritë ‘Malsia Solar, 1, 2, 3’, kanë përmbushur të gjitha dokumentacionet e nevojshme dhe kanë marrë lejen e Këshillit Kombëtar të Territorit që më datë 28. 07. 2016, mirëpo kanë kaluar 3 vite dhe investitorët enden zyrave të shtetit, me projektin e miratuar në dorë.

Përfaqësuesit e kompanisë i kanë dërguar disa letër-kërkesa Kryeministrisë dhe ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ku i ka shpjeguar se punimet e parkut fotovoltaik duhej të mbaronin që në vitin 2017 por këto punime janë penguar nga Bashkia e Malësisë së Madhe e cila kërkonte një pagesë më të lartë se ajo që parashikohet në ligj.

Pas një beteje ligjore, kompania u detyrua të shtynte afatet e punimeve, duke bërë ndërkaq pagesën për Bashkinë në shumën që e parashikon ligji.