Del studimi: Shqiptarët të moralshëm, zënë vendin e 42-të në botë

Ndonëse nuk njihemi për shumë gjëra, të paktën duket se morali nuk na mungon.

Një kompani udhëtimi amerikano jugore ka përpiluar një indeks mjaft të veçantë, duke renditur 132 shtete të botës sipas moralit dhe etikës së tyre.

Kjo, për arsyen e vetme se, udhëtarët dhe turistët kanë në dorë shumë, duke zgjedhur ta bojkotojnë apo promovojnë një vend të caktuar, bazuar pse jo, edhe në moralin e tyre.

Morali dhe etika e një vendi në indeksin e moralit të udhëtimit 2019 përcaktohet mbi bazën e 6 indikatorëve: të drejtat e njeriut, mirëqenia e kafshëve, barazia gjinore, të drejtat e punëtorëve, mirëqenia  si dhe indeksi global i paqes.

Të 6 këta nën-indikatorë prodhojnë indeksin përfundimtar. Por, çfarë rezultati merr Shqipëria? Plot 18 pikë nga 30 të mundshme, çka na rendit në vendin e  42-të në botë, me pikë  të barabarta me Greqinë, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën ndër fqinjët. Krahasuar me vendet e tjera europiane dhe rajonale, Shqipëria rezulton të jetë më mirë se Serbia, apo Moldavia me Turqinë e Poloninë, ndërkohë që sipas këtij indeksi, rezultojmë të jemi gjithashtu një vend me një moral më të pastër se Suedia.

Gjermania, Austria dhe Islanda janë vendet më të moralshme në botë, sipas këtij indeksi, të përpiluar vetëm mbi bazën e 6 indikatorëve, dhe që mund  të shërbejë pse jo, si guidë, për ata udhëtarë të cilët e kanë kriter edhe këtë anë të medaljes në udhëtimet e tyre.