Del zbuluar plani i PS, ja si do ta shkarkojnë Ilir Metën

Firma e Presidentit Meta mbi dekretin, i cili anulonte 30 qershorin si datë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, solli edhe mobilizimin e socialistëve për të kërkuar shkarkimin e tij.

Ditën e djeshme, deputetët socialistë filluan mbledhjen e firmave kundër Presidentit Meta. Strategjia e socialistëve është e ndarë në dy plane.

Në seancën e së enjtes, debati do të fokusohet tek anulimi i datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit, dhe shprehjes së vendosmërisë për t’i zhvilluar ato më 30 qershor, nga ana e socialistëve dhe partive të tjera të regjistruara në to.

Seanca do të miratojë një rezolutë, e cila do t’i bëjë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të vijojë punën e tij në përmbushje të detyrimeve ligjore për të garantuar zgjedhjet e 30 qershorit.

Gjithashtu, në rezolutë do t’u kërkohet vëzhguesve të OSBEODIHR-it dhe atyre vendës që të asistojnë zgjedhjet e 30 qershorit si përmbushje e detyrimit kushtetues për të zgjedhur drejtuesit vendorë në 61 bashki dhe këshillat e tyre bashkiakë.

Paraditen e sotme u mblodh edhe Konferenca e Kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit, e cila mori në shqyrtim kërkesën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PSsë, Taulant Balla, që kërkon zhvillimin e një debati parlamentar pas vendimit të Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve.

Konferenca miratoi me konsensus kërkesen e maxhorances per zhvillimin e nje mocioni me debat per shkarkimin e presidentit Meta.

 

Debati ne Kuvend do te zgjase 5 ore, dhe koha do te ndahet mes 170 minuta per PS, dhe 130 minuta per grupet e tjera parlamentare.

Në kërkesën qe mori ne shqyrtim konferenca, theksohet se: “Pasi u njohëm me aktin e paprecedent të Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018, ‘Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore’ dhe duke e vlerësuar atë si një akt absolutisht të pavlefshëm, të marrë në kapërcim të kompetencave të institucionit të Presidentit dhe në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese dhe demokratike, si dhe duke konsideruar se ky akt synon të pengojë në mënyrë të kundërligjshme realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptare për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor, bazuar në nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një mocioni me debat në seancën më të parë të Kuvendit për këtë çështje, në përfundim të të cilit propozojmë miratimin e një rezolute sipas draftit bashkëngjitur”.

SHKARKIMI

Deputetët socialistë do të nisin procedurën e rregullt parlamentare për shkarkimin e Presidentit të Republikës, bazuar në nenin 112 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Kërkohen firmat e të paktën 35 deputetëve të Kuvendit për të propozuar shkarkimin e Presidentit. Kërkesa i drejtohet kryetarit të Kuvendit i cili vë në dijeni si Kuvendin ashtu dhe Presidentin e Republikës.

Kreu i Kuvendit ia përcjell Komisionit të Ligjeve kërkesën e deputetëve dhe brenda 15 ditëve Komisioni i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen e komisionit hetimor. Komisioni është i detyruar ta dëgjojë Presidentin nëse ai dëshiron. Brenda 7 ditëve nga dita e paraqitjes së raportit të Komisionit të Ligjeve, zhvillohet debat në seancë plenare. Nëse raporti i Komisionit të Ligjeve votohet në Kuvend, brenda 2 ditëve ngrihet komisioni hetimor.

Komisioni hetimor i paraqet Kuvendit raportin me shkaqet e argumentuara për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe brenda 20 ditëve zhvillohet një seancë e veçantë. Nëse kërkohet nga Presidenti për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë. Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë. Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij.

RREGULLORJA E KUVENDIT NENI 112

1/4 e deputetëve propozojnë shkarkimin e Presidentit të Republikës për shkelje të rëndë të Kushtetutës

Kreu i Kuvendit ve në dijeni Presidentin dhe ia përcjell kërkesën Komisionit të Ligjeve

Brenda 15 ditëve, Komisioni i Ligjeve i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen e komisionit hetimor
Komisioni është i detyruar ta dëgjojë Presidentin, nëse ai dëshiron

Brenda 7 ditëve nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit të Ligjeve, zhvillohet debat në seancë plenare

Nëse raporti i Komisionit të Ligjeve votohet në Kuvend, brenda 2 ditëve ngrihet komisioni hetimor

Komisioni hetimor i paraqet Kuvendit raportin me shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe brenda 20 ditëve zhvillohet një seancë e veçantë

Nëse kërkohet nga Presidenti për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë.

Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij.