Delegacioni i BE reagon 2 ditë para zgjedhjeve, thirrje qytetarëve, kujton 21 qershorin…

Dy ditë para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit delegacioni i BE në Shqipëri ka bërë një deklaratë ku thotë se qytetarët duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore. BE thotë se çdo veprim dhune është i papranueshëm dhe i bën thirrje palëve politike të shmangin retorikën provokuese.

Në deklaratë theksohet që procesi i votimit do të vëzhgohet nga një mision ndërkombëtar i drejtuar nga OSBE/ODHIR me vëzhgues nga të gjitha vendet e BE.

“Qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt  dhe paqësore. Duke pasur parasysh votimet që do të zhvillohen më 30 qershor 2019, është e domosdoshme që qytetarët që ushtrojnë të drejtat e tyre ta bëjnë këtë në një mënyrë të rregullt. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit të mos pengohen.

Demonstrata e zhvilluar në Tiranë më 21 qershor ishte paqësore dhe të njëjtat vlera dhe parime demokratike duhen ruajtur çdo fundjavë.  Çdo veprim i dhunshëm apo çdo formë nxitje për dhunë janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo rrethane. Të gjitha palët polititike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese. Procesi i votimit do të vëzhgohet  nga një mision ndërkombëtar i drejtuar nga OSBE/ODHIR që përfshin vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Europian.

Të gjitha palët duhet të angazhohen në një dialog të mirëfilltë sa më shpejt që të jetë e mundur për të kapërcyer  situatën aktuale politike në vend në mënyrë që t’i përqendrojmë  përpjekjet e tyre në procesin e reformave në rrugën e saj drejt BE”, thuhet në deklaratë.