Denoncon PD: Po cënohet lista e zgjedhësve, Rama vazhdon të vjedhë zgjedhjet

Ish deputeti i PD, Endri Hasa denoncon se lista e zgjedhësve është cenuar dhe se të dhënat e 10% e votuesve janë modifikuar.

Referuar raportit të auditimit të kryer sipas kodit zgjedhor mbi veprimet të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile i paraqitur dje në mbledhjen KQZ, Hasa sqaron se si listat e zgjedhësve janë cenuar në kundërshtim me ligjin.

“Të dhënat e 10% të zgjedhësve janë modifikuar pa asnjë dokumentacion dhe është cenuar rëndë lista e zgjedhësve.

Këto janë listat e Edi Ramës dhe Sandër Lleshit sepse vesi del me shpirtin dhe ata bëjnë çdo ditë çdo gjë vetë për të manipuluar dhe vjedhur zgjedhjet sepse vetëm këtë dinë të bëjnë.

Listat e zgjedhësve janë cenuar rëndë dhe janë modifikuar në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Gjendjen Civile.

Ky është konkluzioni i raportit final të auditimit të kryer sipas kodit zgjedhor mbi veprimet në në Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile i paraqitur dje në mbledhjen KQZ.

Nga Dhjetorit 2018 deri në listën finale rezulton që 350.843 qytetarëve i janë modifikuar të dhënat e banimit dhe për këto veprime mungojnë gjurmët e sistemi dhe dokumentacionet përkatëse.

Mos identifikimi se kush ka kryer ndryshimet mbi të dhënat dhe mungesa e dokumenteve që kërkon ligji ka cenuar rëndë sigurinë e regjistrit dhe integritetin e listës së zgjedhësve.

Në mënyrë arbitrare dhe pa dhe asnjë dokumentacion në 2.5 muaj janë shtuar 47.747 kode të reja banesash. Janë mbi 100 raste në të gjithë Shqipërinë ku kodet e banimit rezultojnë me mbi 300 banorë.

Në Korçë Qendra e Votimit 3636 ka 1051 zgjedhës të regjistruar në banesën 141 që është godinë e Fakultetit të shkencave të natyrës.

Po kjo qendër ka 495 zgjedhës të regjistruar në banesë 529 që siç duket qartë në Google maps është lulishte.

Në Durrës QV 1470 në godinën e vogël me nr 22 banojnë plot 944 zgjedhës. Në Elbasan QV 2350 banojnë 408 zgjedhës në një hyrje të vetme pallati të ndërtuar para vitit 90.

Nesër Shqiptarët në orën 19:00 do të jenë shesh për të larguar kriminelët që po mbajnë Shqipërinë larg Europës”, sqaron Hasa.