Detaje nga gjendja letargjike/ Në të gjithë vendin PS nis fushatën, në Shkodër në drejtim të paditur

Në jug ka nisur takimet e para elektorale me synim mandatin e tretë, ndërsa gjatë të enjtes prezantoi nismen për të thithur të rinjtë e talentuar në Shqipëri, por në veri partia socialiste ka ikur në drejtim të paditur. Prej muajsh të tërë dega e PS në Shkoder është pa kryetar, pa një të komanduar dhe pa zgjedhje siç ndodhi në pjesën tjetër të Shqipërisë, duke e zhytur këtë forcë politike në krizë të thellë identiteti dhe që e lë larg momentit për të qënë gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, me të cilat na ndajnë më pak se 1 vit. Askush nuk di të thotë se cfarë po ndodh, pasi pandemia e ka thelluar edhe më shumë paqartësinë mbi fatin e këtij subjekti politik, në një prej bashkive më të mëdha dhe të rëndësishme të vendit, siç është Shkodra. Por problemet PS nuk i ka vetëm tek proçesi i ristrukturimit të brendshëm, por edhe mes deputeteve të qarkut, pasi nga 4 të mandatuar prej votave të shkodranëve, asnjëri prej tyre nuk ka komunikim me tjetrin dhe lufta e ashpër bëri që të shkatërroheshin edhe shumë drejtori rajonale, e një pjesë e madhe e tyre të merrnin rrugën për Lezhë, duke u zhvendosur pa u ndjerë, pikërisht nga përplasjet e tyre dhe mungesa e komunikimit, që Edi Ramën jo vetëm e lodhi përgjatë 2019-es, por arriti deri aty sa të mos i presë më në selinë rozë. Tashmë që afatet shkurtohen, e kaosi rritet, anëtarësia sa vjen dhe shton dozën e presionit dhe pakënaqësisë, për shkak se mundi i dy mandateve për shumë prej tyre shkoi kot, pa dhënë frytet e pritshme. Sikur të mos mjaftonte ky kaos brenda selisë rozë, ndikim kanë patur edhe zgjedhjet e 30 qershorit dhe ajo që prodhuan me vonë, ku i besuari i Ramës Valdrin Pjetri humbi mandatin pa arritur që për herë të parë pas 30 vitesh socialistët të gëzonin bashkinë, si dhe me një këshill më shumë konfliktual, sesa realisht zëri i qytetareve. Tashmë barra që bie mbi supet e PS është e madhe jo vetëm për shkak të konsumit politik në dy mandate, por edhe për faktin se në Shkoder, mungesa e vizionit të drejtimit, një parti e çorientuar dhe ku terreni që ka patur PD për ta sulmuar ka qënë i madh, sot e bën hyrjen e saj në një garë të pastër elektorale tejet të vështirë, e me pikëpyetje nëse mund të arrijë aty ku ishte 4 vite më parë.