Deutsche Welle/ Basha: Largimi i Ramës, i panegociueshëm

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit e cilësoi si një hap të vogël përpara. Në protestën e 8-të kombëtare të opozitës, ai e quajti largimin e Ramës të panegociueshëm.

Nga Deutsche Welle

Fillim i protestës në mbrëmjen e të shtunës (8.05.2019) përkoi me shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Presidenti i Republikës, Ilir Meta shfuqizoi dekretin për zhvillimin e tyre në 30 qershor duke hapur rrugën e kompromisit dhe pjesëmarrjes së opozitës. Në një deklaratë të publikuar në prag të fillimit të protestës, Presidenti Meta paraqet si arsye kryesore të shtyrjes së zgjedhjeve “mbrojtjen e parimeve kushtetuese që është më e rëndësishme se çdo afat ligjor” si edhe qëndrimin e tij konform „betimit për t’i shërbyer ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar”.

“Kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve njëpartiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cënohet kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020”, thekson Meta në deklaratën e tij.

Basha: Largimi i Ramës i panegociueshëm

Mijra protestues nga e gjithë Shqipëria kërkuan largimin e Kryeministrit Rama me parullën ”Rama IK”. Krahas flamurit kombëtar, në duart e protestuesve dominonte edhe flamuri i BE, i Gjermanisë dhe SHBA. Parullat i bënë jehonë edhe publikimit pak ditë më parë  në gazetën bulevardeske gjermane” Bild” të skandalit të përgjimeve. Në gjuhën gjermane në parulla falenderohej gazetari gjerman i “Bild”, Peter Tiede që publikoi përgjimet e dosjes 339.

Basha në fjalën e tij, në sheshin para kryeministrisë përshëndeti anulimin e 30 qershorit si një hap të vogël përpara.”Anulimi i 30 qershorit nuk është fundi i betejës. Ai është vetëm një rezultat i qëndresës së një populli të bashkuar për Shqipërinë si gjithë Europa. Largimi i Ramës është i panegociueshëm” tha Basha në fjalën e tij. Ai i bëri thirrje PS të hyjë në dialog me opozitën pa Ramën.

Protesta degjeneroi në dhunë para Parlamentit

Protesta e 8-të kombëtare e opozitës nuk arriti dot  të shmangë degjenerimin e saj në akte dhune dhe tensione me policinë, kur ajo u spostua nga Kryeministria në Parlament. Megjithë thirrjet e faktorit ndërkombëtar, të Presidentit Meta dhe të policisë për të shmangur dhunën, akte dhune ndodhën para Parlamentit. Protestuesit hoqën gardhin metalik të policisë para derës kryesore të Parlamentit, hodhën fishekzjarrë dhe kapsolla të mëdha në oborrin e tij. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë demostruesit. Protestuesit e mbyllën protestën duke u grumbulluar në selinë e PD, edhe pse opozita kishte kërkuar leje për të protestuar deri në mesnatë.

DW