Dhe Fevziu si xha Nuriu me një dhëmb i Gorës që flet broçkulla, rrena, gomarrllëqe dhe lajthitje

Nga Agim Xhafka 

Sa mbarova universitetin më çuan mësues në Velçan të Gorës. Një fshat në këmbë të malit të Lenijes,kufi me Gramshin,pa rrugë makine,me drita dy-tre orë,pa televizor,por kish një telefon me rrotullim doreze veç me Lozhanin. Në dimër borë e qamet sa qëndronim dhe dy muaj pa zbritur në Korçë.

Në këtë humbëtirë kishte njerëz të mrekullueshëm dhe një varfëri vrastare. Edhe bukën,edhe vezët,edhe pak djathë e ca fasule i sillnim nga qyteti !!!

Pas mësimit nuk shtynim dot ditën. Dhe i vetmi vend ku mund të rrije ishte kasollja e rojeve. Atje ishte telefoni që lidhej me lokalitetin ndaj ata që ruanin magazinën e misrit dhe të ca lopatave merrnin dhe porositë që çonte me telefon pushteti.

Ishte një bythëvend,as 2mx2m. Por futeshim atje nja dhjetë veta e dera lihej hapur të dëgjonin dhe ata jashtë. Roja i ditës quhej Nuri. Nuk ishte i moshuar,por i pa ushqyer,me vetëm një dhëmb të dalë mbi buzën e ngritur e me qurra që i fshinte me kurrizin e dorës,të detyronte ta thêrrisje xha Nuri. E ngaqë ishte “pronar” i kasolles fliste veç ai. Tregonte gomarllëqe,broçkulla,gënjeshtra,por nuk e kundështonte kush. Se nesër ai nuk të qaste,të linte jashtë në dëborë. Ndaj shihja që edhe Bert doktori e aprovonte në çdo marrëzi të tij.

Një ditë na tregoi se në Qafë-Kërrabë,në një tunel u gjetën gjallë ca ushtarë italianë!!! Që nga lufta,rresht për 40 vjet ata u ushqyen me biskota e një curril uji që për fat rridhte aty.

U pataksën shumica. Në vend ta merrnin me dru xha Nuriun filluan pyetjet,ku laheshin e ku dhisnin italianët. Mendova,po të rrija gjatë në atë fshat do besoja tek xha Nuriu siç të tjerët mbledhur në atë kasolle. Më zuri frika,më kapi ankthi.

Qysh atëhere kanë kaluar dekada. Por sa herë shoh “Opinion” ai emision më duket fiks si kasollja e Velçanit,mbushur plot dallkaukë dhe Fevziu si xha Nuriu. Ndryshon në veshje e drita,por mendja njësoj.

Broçkulla,rrena,gomarrllëqe,lajthitje e vazhdojnë deri sa vjen mesnata. Pastaj ikin të flenë.

Kështu dhe qëmoti. Ngopeshim ne me dërrdërre e përrpërre dhe ngriheshim. Iknim.
-Natën e mirë,xha Nuri! Na kënaqe!-i thoshim.

Nuk e shihnim kur largoheshim se do të na ngelej në sy dora e tij që fshinte hundët e si mjeshtër e përplaste fort te pantallonat e tij plot andra…