Djali i Nishanit hoqi dorë nga nënshtetësia, zbulohet e vërteta

Ish-presidenti Bujar Nishani ka reaguar pas lajmit se i biri vendosi të lërë nënshtetësinë shqiptare. Sipas ish-kreut të shtetit, duke qenë se djali i tij jeton prej rreth 10 vitesh në Austri dhe si student i Mjekësisë, i është ofruar statusi i asistent/pedagogut.

Prej kësaj shteti i Austrisë i ka ofruar nënshtetësinë, por sipas tij ekziston detyrimi ligjor që nuk mund të mbahen dy shtetësi, prandaj dhe i biri ka marrë vendimin për të lënë nënshtetësinë shqiptare.

Reagimi i plotë i Nishanit:

“Të nderuar miq, sot media e propagandës së narkoqeverisë u përpoq të injektojë si lajm negativ, procedurën e lënies së nënshtetësisë nga djali im.

Im bir jeton prej afro 10-të vitesh në Austri dhe është aktualisht një prej studentëve të shkëlqyer në Universitetin e Mjekësisë së Vienës, ku prej disa vitesh ka fituar edhe statusin e asistent/pedagogut.

Shteti Austriak i ka dhënë nënshtetësinë austriake por kanë rregullin që nuk lejohet dy shtetësia.

Unë jam shumë krenar për fëmijët e mi pasi vetëm më kanë nderuar dhe kurrë përfituar.

Turp dhe e papranueshme është ti ushqesh fëmijët me para të vjedhura apo paratë e krimit të organizuar dhe jo kur nderojnë prindërit dhe këdo tjetër që është në nevojë për ndihmë.

Kuptohet se qëllimi i kësaj fushate propagande jam unë.

Regjimi i narkotrafikut dhe avoketërit e tij duket se paskan frikë prej aktivitetit tim qytetar. Kjo më kënaq në fakt”- sqaron Nishani.