Dje Ademi inaguroi “parkun e ri”, por ja çfarë i kërkojnë qytetarët

Një ditë më parë, kryebashkiakja Voltana Ademi inaguroi parkun e ri “Vaso Kadija” në qytetin e Shkodrës. Një park që në fakt ka ekzistuar edhe më herët, por në prag fushate, Voltana Ademi ka vendosur që të shtojë disa stola dhe të bëjë disa ndërhyrje të vogla për ta bërë që të duket një investim i ri. Pa harruar faktin se ky investim vjen edhe falë bashkëfinancimit me ambasadën zvicerane dhe austriake.

Por, banorët e zonës kanë përsëri ankesa ndaj Bashkisë Shkodër. Ato kërkojnë që tek ky park, pse jo edhe në zona të tjera të qytetit, të vendosen banjo publike. Në fakt, qyteti i Shkodrës para disa vitesh ka pasur banjo publike në disa zona, por tashmë ato janë zhdukur.

Qytetarët janë ankuar disa herë se është e nevojshme vendosja e banjove publike, pasi kohët e fundit rolin e tyre po e kryejnë pikërisht lulishtet, aty ku i kryejnë nevojat përsonale. E një kërkesë të tillë ia shfaqën edhe dje Ademit, por siç duket vështirë se do marrin një përgjigje për këtë shqetësim të tyre. /ShkodraNews