Do hajë pilaf jarani? Receta fantastike e një gjelle që do ju mahnisë

Ky bashkim i mrekullueshëm shijesh me siguri që do të kthehet në gatimin e preferuar në çdo tavolinë.

Ndiqeni më poshtë hap pas hapi përgatitjen e kësaj pjate sipas këshillave të AgroWeb.org.

Përbërësit
2 filxhanë çaji me oriz

2 lugë gjelle gjalpë të freskët ose vaj ulliri

4 filxhanë çaji lëng mishi

kripë

Përbërësit për qoftet
450 gr mish i grirë

1 qepë e vogël

1 thelbi hudhër

1 vezë

100 gr thërrime buke të thekur

3 lugë gjelle vaj ulliri

gjysmë luge çaji kripë

piper i zi

Përbërësit për salcën e domateve
450 gr salcë domatesh

2 lugë gjelle vaj ulliri

1 qepë e vogël

1 gjethe dafine

kripë dhe piper

Përgatitja e qofteve
AgroWeb.org ju këshillon që recetën tuaj ta nisni me përgatitjen e qofteve të shtëpisë.

Si fillim zgjidhni një enë të thellë dhe hidhni mishin e grirë, qepën e prerë në fije të holla, vezën, vajin e ullirit, bukën e thekur dhe hudhrën e grirë.

Shtoni në fund pak kripë dhe piper të zi të bluar.

Përzjejini të gjithë këta përbërës me duar, derisa mishi të jetë përzier në mënyrë të njëtrajtshme me të gjithë përbërësit e tjerë.

Pasi të jetë formuar brumi i zakonshëm i qofteve, mbulojeni enën me një qese plastike kuzhine dhe lëreni të pushojë në frigorifer.

Ndërkohë ndizni furrën në temperaturën 200 gradë Celsius dhe vazhdoni me përgatitjen e salcës.

Përgatitja e salcës
Në një tigan hidhni qepën e prerë hollë dhe ngroheni në zjarr të lartë.

Lëreni të ngrohet dhe më pas shtojini vaj ulliri, thelbin e hudhrës pa e copëtuar dhe gjethen e dafinës.

Kur qepa të jetë skuqur dhe zbutur pas 3-5 minuta në zjarr, shtoni salcën e domateve dhe piperin.

Ulni nxehtësinë e sobës në minimum dhe lëreni salcën tuaj të gatuhet edhe për 5 minuta të tjera.

Më pas nxirrni nga frigoriferi mishin e qofteve për t’i dhënë atyre formën që dëshironi.

AgroWeb.org ju këshillon që të merrni masa të vogla me duar dhe t’i bëni në forma rrethore.

Bëjini qoftet tuaja në madhësinë e një arre ose të vogla sa pëllëmba e dorës dhe pak të sheshta.

Ndërkohë hiqini salcën nga zjarri dhe zgjidhni një tavë katrore mesatare rreth 28 cm.

Lyejeni me vaj ulliri në të gjithë sipërfaqen e saj dhe shtroni një nga një qoftet që përgatitët më parë.

Hidhini sipër salcën e domateve dhe futini në furrë të piqen për 40-45 minuta.

Teksa qoftet piqen vazhdoni me përgatitjen e orizit si zakonisht

Përgatitja e orizit
Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon që të kaurdisni në një tenxhere orizin me gjalpë ose vaj ulliri.

Pasi të jetë kaurdisur, i hidhet lëngu i nxehtë i mishit dhe lihet të ziejë në 20 minuta në zjarr të ngadaltë me kapakun mbyllur.

Në momentin që orizi pi lëngun dhe në sipërfaqen e tij krijohen disa vrima, hiqet nga zjarri dhe lihet me kapak të mbyllur edhe për 10-15 minuta të tjera.

Më pas nxirrni qoftet nga furra dhe shërbejini bashkë me orizin dhe salcën e tyre.

Kjo përzierje e mrekullueshme do të kthehet në ushqimin e preferuar të çdo vakti.