“Do të mbani përgjegjësi”, zbulohen bisedat sekrete të Ramës. Ja si po ja dorëzon Shkodrën Tom Doshit

“Pse nuk uleni bashkë? Kur unë ulem me Ilir Metën dhe Sali Berishën, ju pse nuk uleni më njëri-tjetrin të flisni? Mos sillni 20 emra kandidatësh për një post të vetëm, uluni dhe filtroni propozimet”! Kjo ishte porosia e prerë që Edi Rama u dha socialistëve të Shkodres, e konkretisht 4 deputetëve të qarkut, Senida Mesit, Luan Harushës, Paulin Sterkajt dhe social – demokratit Tom Doshi.

Por situata nuk është aspak pozitive, por përkundrazi më shumë se gri, kjo për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë mes tyre të zgjedhurit e Shkodres, fakt që edhe vetë kryeministri e di. Burime për Shkodranews bëjnë me dije se emerimet e reja në Shkoder mund të mbeten peng i konflikteve të paktën edhe për disa javë të tjera. Propozimet e reja që janë dërguar, të gjitha janë pezulluar nga kryeministri i cili ka kërkuar që pa konsensus të mos i trokasin në dyer për asnjë emer, pasi nuk do të pranojë më lista me emra pa fund, e ku ai të jetë i detyruar më pas ti vërë gishtin njërit prej tyre.

“Ju jeni të vetëdijshëm se nëse veprohet kështu, me të gjithë ngarkesën që kam unë për Shqipërinë, do të jenë e pamundur ti jap zgjidhje, e të mos pretendoni se i njoh të gjithë. Ju jeni filtrat, prandaj merreni situatën në duar ose do të mbani përgjegjesi direkte” mësohet të jetë shprehur më tej kryeministri i cili ka ka lënë afate të prera qoftë për emrat, e qoftë për organizimin e brendshëm të partisë socialiste në Shkoder.

4 koordinatorët, tashmë përvec grupit të punës me qytetarët, do të duhet të pyesin edhe dyshen e deputeteve Sterkaj – Doshi, ku secili prej tyre influencat e forta i kanë jo vetëm në zonat Malësi e Madhe e Vau Dejes ku janë të zgjedhur, por edhe në Shkoder. Tashmë më shumë se zgjidhje, Rama u ka hapur një luftë të re deputetëve mes tyre, që do të duhet të dakortësojnë për emra, por secili prej tyre do ta ketë të vështirë të lërë pas egon për më shumë influencë. I vetmi i përjashtuar në gjithë këtë mes është Ditmir Bushati, që Rama ka vendosur ta lërë jashtë loje, duke mos e llogaritur as si deputet të thjeshtë në gjithë këtë vendimarrje. Për socialistët e Shkodres shtohen kështu orët e ankthit e pritjes, deri në zyrtarizimin e titullareve të reja që do të marrin çelesat dhe karriget e zyrave kryesore të veriut./ShkodraNews