Dokumentet që shp.ërthejnë ska.ndalin/ Veliajt i dha biznesmeni që mashtroi me 4 mln euro banesat sociale pa garë

Më 30 dhjetor kreu i bashkisë së Tiranës, pa garë dhe në shkelje të ligjit për Prokurimet Publike i jep me negociim dhe pa garë kompanisë “Kurti Construction” shpk dhe “Bredhi Jes” tenderin e banesave të lëvizshme sociale. Ish-kandidati i PD për këshillin bashkiak më 2011 merr “qyl” shumën prej 784 198 800 lekësh. Rabi Kurti është arrestuar më 5 shtator 2019, i akuzuar për mashtrim me TVSH-në. Ku pyet për parti e dënime Erioni, kur në mes ka lekë. Këtu ngjan pikë për pikë me shefin e tij Edi Rama!

Erion Veliaj vazhdon të japë para për biznesmenët afër tij, duke shmangur nga gara për punët publike të gjithë rivalët. Teksa të gjithë qytetarët e kryeqytetit kanë qenë të preokupuar për të përgatitur sa më mirë bashkë me familjet e tyre natën e vitit të ri, kryetari i bashkisë së Tiranës ka pasur mendje për të fituar ndonjë lek.

Vetëm 24 orë para natës së ndërrimit të viteve është shpallur fituesi i kontratës me vlerë totale 78.419.880, ku përfitues janë kompania “Kurti Construction” shpk dhe “Bredhi Jes”. Qëllimi i marrëveshjes do të jetë “Blerje shtëpi levizëse për strehim social në raste emergjence civile”.

I vetmi njoftim i dhënë në këtë rast është ai i publikuar në buletinin e Prokurorimeve Publike ku nuk saktësohet as sa objekte do të blihen e sa kushtojnë, por vetëm është publikuar fondi limit.

Ndërkohë që te burimi i financimit thuhet se: Vënë në dispozicion nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës me anë VKB Nr.128, datë 03.12.2019 “Disa ndryshime në vendimin Nr.159 datë 21.12.2018 të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ”Për miratimin e programit buxhetor afat-mesëm 2019-2021” dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2019”, (të ndryshuar).

Ndërsa tek informacioni shtesë thuhet: “Në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.750, datë 27.11.2019 “Për Shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës dhe Tiranë” pika 7.1 gërma dh) përjashtimisht, procedurat e prokurimit për mbulimin e nevojave emergjente, si rezultat i dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor t’i zhvillojnë në rrugë shkresore)!

Marrëveshja është realizuar me negociim, me argumentin e fatkeqësisë natyrore, dhe nëse kërkon në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës vëren se nuk janë dhënë shpjegime të mëtejshme.

Kontrata është firmosur më 13 janar, por sërish nuk është publikuar materiali i negociimeve.

Për këtë tender është zgjedhur kompania “Kurti Construction Shpk & Bredhi Jes Shpk”, e cila ka qenë e vetme në garë. Duke shkelur me të dyja këmbët ligjin për Prokurimet Publike.

Pavarësisht se sipas ligjit kur përdoret procedura me negociim, duhet që të marrin pjesë në garë jo më pak se 3 operatorë ekonomikë. Kur nuk ka pjesëmarrje, atëherë procedura e tenderimit vijon vetëm me dy operatorë dhe poshtë këtij numri nuk zhvillohet fare procedura.

Në kontratë nënvizohet se kompania do të marrë shumën prej afro 670 milionë lekësh të vjetra për blerjen e banesave sociale. Ndërsa me TVSH shuma shkon në vlerën e 784 198 800 lekëve.

Për hir të së vërtetës në krye të kësaj kompanie fituese të përzgjedhur nga Erion Veliaj për t’i dhënë pa garë banesat sociale, është Rabi Kurti.

Po të klikosh në motorin e kërkimit “google” emrin e tij, në të gjitha linqet tregohet se Kurti nuk është një emër i panjohur. Ai është arrestuar më 5 shtator 2019, si një nga biznesmenët VIP, i akuzuar për 4 milionë euro mashtrim me TVSH-në.

Kompania në fjalë është nën hetimin e prokurorisë për mashtrim, ndërkohë që Erion Veliaj i beson paratë e taksapaguesve të kryeqytetit. Madje ia jep direkt, pa garë dhe me negociim, një praktikë e hapur korrupsioni.

Veliaj nuk mund të justifikohet as me faktin se po ndihmon bizneset e veprimtarëve të PS, sikurse mburret me punët publike apo dhe me punësimet në bashki që ka bërë për “socialistët”.

Kjo bie poshtë, pasi Rabi Kurti njihet si një nga emrat e lidhur ngushtë me PD, e cila e vuri edhe në listën e kandidatëve për këshillin bashkiak në vitin 2011. Po ku pyet për parti Erioni, kur në mes ka lekë. Këtu ngjan pikë për pikë me shefin e tij Edi Rama!/Pamfleti