“Dora e shtrirë për të nëpërkëmburit” që PS nuk i preferoi për drejtorë në 4 vite në Shkodër!



Përse i lakmon partia socialiste drejtorët jabanxhinj dhe cili është fryti që ka marrë prej tyre? Eshtë kjo një pyetje që ende sot nuk ka marrë një përgjigje, megjithese socialistët po shkojnë drejt fundit të mandatit të dytë qeverisës dhe prej më shumë se 4 vitesh në Shkoder, disa prej drejtorive më kyçe, ministrat e Edi Ramës ja kanë besuar jo shkodranëve, por të ardhurve nga Fieri, Tirana, Lushnja apo ndonjë qytet tjetër i Shqipërisë së mesme e të Jugut.



Një paradoks që nuk ishte parë ë dëgjuar më parë dhe që për cudi nuk ndodh në asnjë rreth tjetër, përveçse me Shkodrën. U zgjodh kjo rrugë për të “prerë” kokat e socialistëve shkodranë, atyre që prej sot e në vazhdim, Edi Rama dhe të besuarit e tij do të duhet t’u kërkojnë ndihmë për të bërë fushatë, për të mbledhur vota, e nesër edhe për ti numëruar e vulosur rezultatet. Nuk do të jenë drejtorët jabanxhinj, por socialistët e lënë të papunë e të nëpërkëmbur në këtë mandat të dytë. Por cili ishte rezultati dhe leksioni që donte të jepte partia socialiste e rilindur, askush nuk di ta thotë, as vetë Edi Rama.



Këtë fakt ja përplasën në sy që në ditën e parë të rikthimit në Shkoder Ilir Beqajt dhe ky i fundit ngriti supet pa një përgjigje, e pa ditur të thotë se cfarë do të ndodhë. Premtoi se do të lobojë që kjo të ndryshojë, por a mund të gënjehen socialistët pak muaj përpara zgjedhjeve, me një kockë që e kanë rrjepur këto drejtorë që nuk kanë njohur asnjë meritë, as kontribut të degës së PS. Përgjigjia më e mirë do të jepet në javët dhe muajt e ardhshëm, atëherë kur fushata do të nis, e përkrahësit e kësaj force politike në Shkoder të nisin rreshtimin për të kuptuar kush ka mbetur dhe kush është distancuar nga ky model./ShkodraNews