Drejtor Biblioteke zotni Maxhidi; që përfaqëson diçka, ngaqë nuk përfaqëson asgjë

Nga Andreas Dushi

Si thashethem, dhe shpresoj vërtetë të jetë i tillë, ndër faqe facebook-u po qarkullon lajmi se biblioteka “Marin Barleti” paska një drejtor të ri. Ai na qenka zoti Maxhid Cungu, i njohur në Shkodër si politikan pasi ka mbajtur funksione të ndryshme: Prefekt, Kryetar i Qarkut, pastaj Kryetar i Këshillit të Qarkut dhe sigurisht, edhe ndonjë tjetër. Duke qenë se këto funksione kanë pak e aspak ndikim në jetën e një qyteti si Shkodra, zotni Maxhidi është parë gjithnjë si dikush “që sheh punën e vet”.

Nëse ai vërtetëështë në krye të Bibliotekës me mbi shtatëdhjetëedy mijë tituj, kjo është fatkeqësi, jo pse personi i zotni Maxhidit përfaqëson diçka, por ngaqë ai nuk përfaqëson asgjë.

A nuk ka Shkodra njerëz pasionantë dhe që e duan librin? Ka, madje shumë më tepër se qytetet e tjera. Ata arrijnë deri aty sa edhe të sakrifikojnë nga vetja për t’ju përkushtuar librit. Atëherë përse Biblioteka duhet drejtuar nga një figurë thellësisht politike? Si ka mundësi që në qytet, prej tridhjetë vitesh tanimë, ekziston kultura injorante e riciklimit, ku dikush merret, përdoret, pastaj i ndërrohet format dhe përdoret sërish e sërish?

Marrëdhënia që Bashkia po synon të krijojë me Bibliotekën është aq e poshtër, sa edhe e ulët: Ju përfitoni nga mbështetjaime, ama unë duhet të përfitoj vendet tuaja të punës! Të bësh politikë me Bibliotekën, vendin e shenjtë të një qyteti dhe sigurisht, shpirtin e Shkodrës është njëlloj si të bësh grabitje në një tempull.

Jam kureshtar të di se si një njeri që librin nuk e ka parësor, ndryshe nga z. Çuni, ish – drejtori i cili investoi sa mundi në Bibliotekë, mund të drejtojë “Festivalin Letrar të Shkodrës” apo një revistë kultorore sikurse është “Gegnia”. Ku i sheh zonja Kryebashkiake që edhe pse në ikje, vjen mbi avionët e letrës ndërtuar me vendime të tilla të cilët firmos, rastet ku politikani drejton bibliotekat? A e di zonja Ademi se në Argjentinën e largët, vetë Borgesit ëndrra për të drejtuar një Bibliotekë ju plotësua atëherë kur bibliofilia e tij qe vërtetuar?

Të drejtosh “Marin Barletin”, sa përgjegjësi menaxheriale, aq është edhe historike pasi mban mbi shpatulla jo vetëm institucionin, por kulturën e një qyteti që gjithnjë kësaj faqeje të ndritshme i ka kushtuar rëndësi të veçantë. Kohë më parë pata bërë një shkrim me titull “Pse Shkodra nuk nxjerr ma shkodranë?” dhe, mes ofendimeve nga shkodranë të pasaportizuar sëfundmi si qytetarë, lexova “Shkodra nxjerr, por shkodra (me sh të vogël tregohet kush drejton këtë qytet) i fsheh!”.

Në vorbullën e mendjeshkurtësisë drejtuese që digjet mbi tangarë plot molotov, duket se puna, pasioni, profesioni dhe rroga bëhen bashkë dhe jashtëqesin dëshira meskine të cilat njerëzit janë gati t’i realizojnë, edhe në rëndofshin gjithë botën! Kjo nuk është Shkodra!