Drejtori i Veleçikut ka një urim special për Vllazninë

Fitorja e sotme e Vllaznisë ndaj Shënkollit dhe ajo e djeshmja e Veleçikut ndaj Erzenit ka bërë që distanca mes shkodranëve dhe shijakasve të shkojë përsëri në +7 pikë. Koplikasit natyrisht që luajtën për objektivat e tyre por i dhanë një “dorë” edhe Vllaznisë.

Për fitoren ndaj Erzenit, drejtori teknik i Veleçikut, Nuri Rexha ka një dedikim special. Për PanoramaSport, ai është shprehur:

“Ka qenë një fitore e rëndësishme për ekipin tonë që tregoi grintë, karakter dhe cilësi në fushën e lojës. Më vjen mirë që kjo fitore i shërbeu edhe Vllaznisë, skuadrës për të cilën bëjnë tifo të gjithë malësorët. Madje po jua them se fitorja jonë është dhurata më e mirë që Veleçiku i ka bërë Vllaznisë me rastin e 100-vjetorit të saj. Jemi të gjithë tifozë me këtë ekip, edhe unë personalisht futbollin e kam nisur me Vllazninë.
Ky ekip ka qenë krenaria e të gjithë Veriut dhe kuptohet që e kemi për kënaqësi t’i shërbejmë, ndonëse e përsëris se Veleçiku në rradhë të parë luajti për vete në këtë ndeshje.” /ShkodraNews