Duhej inauguruar këtë verë, por Shirokën po e mbajnë peng!

Të nisura në gushtin e vitit 2018, sot punimet për rikualifikimin urban të Shirokës, siç ishin parashikuar nga vetë fondi shqiptar i zhvillimit do të duhej të ishin thuajse të përfunduara.

Por ndërsa po afron vera e këtij viti dhe na ndajnë vetëm pak muaj, punimet jo vetëm nuk janë gati të përfundojnë, por janë larg këtij proçesi, pasi kanë muaj që janë pezulluar.

Shkak është bërë pikërisht zbardhja e lejes për ndërhyrje që të prishen edhe objektet e ndërtuara poshte rrugës, në pjesën e brigjeve të liqenit. Por për këtë proçes bllokimi po bëhet as më shumë dhe as më pak nga kryetarja e bashkisë së Shkodres Voltana Ademi, e cila në prag të fushatës elektorale, për disa subjekte që ndodhen në këtë zonë, nuk denjon të ndezë dritën jeshile, pasi i çuan kosto elektorale. E në krahun tjetër qeveria bën sehir dhe ka bllokuar të gjithë zonën, duke paralizuar jo vetëm zhvillimin e biznesit që ka investuar atje, por në të njëjtën kohë po rrezikon që për të dytin vit radhazi sezoni turistik të dështojë.

Kaosi është prezent ngado dhe lenia përgjysëm e kantierit të ndërtimit ka bërë që edhe vetë subjektet që operojnë në zonën e Shirokës, ta kenë të paqartë se cfarë do të ndodhë, duke ju shkaktuar pasiguri dhe në të njëjtën kohë kohë shtese, pasi me ardhjen e verës pluhuri dhe papastëria rritet ndjeshëm, pa folur për sigurinë. Rikonstruksioni i Sheshit të Shirokës përfshin një sipërfaqe prej rreth 20 mijë m². Ndërhyrja parashikon restaurimin e 2,000 m² fasada, ndërtimin e 1,500 m² çati të reja, ndërtimin e 1,700 m² parking publik, shtrimin e sheshit me pllaka guri mozaik, ndriçimin publik, ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimet, punime gjelbërimi dhe mobilimi urban.

E duke parë këtë listë të gjatë dhe muaj që kanë shkuar dëm pa u punuar, e kupton fare mirë se të paktën edhe për një vit është e sigurtë që nëse sikur edhe sot të nisnin punimet, është e pamundur të përfundohet ky investim. Qartazi pas kësaj bashkia dhe qeveria do të nisin të hedhin gurin e fajit tek njera – tjetra pa pyetur për koston që ju shkaktohet bizneseve dhe familjeve në këtë zonë, por edhe Shkodres në tërësi duke mbajtur peng një prej pikave turistike me të preferuara./ShkodraNews