E bletë shtëpinë me kredi dhe jua dëmtoi tërmeti? Eksperti tregon çfarë do të ndodhë me ju

Me dhjetëra banesa janë dëmtuar nga tërmeti i fuqishëm i datës 26 nëntor, një pjesë e madhe e të cilave janë blerë nëpërmjet kredive bankare.

Spiro Brumbulli Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, ishte i ftuar në emisionin e gazetares Eni Vasili, ku iu përgjigj dhe një prej pyetjeve më shqetësuese të ditëve të fundit: Çfarë do të bëhet me banorët që kanë marrë shtëpitë me kredi dhe u është shembur shtëpia?

“Rasti i të gjithë atyre që kanë humbur shtëpinë dhe që kanë kredi, është lehtësues për ata, domethënë nuk do të marrin barrën e ripagimit të kredisë për sa kohë ata kanë bërë një sigurim të pronës apo kredisë.

Të gjithë ata që kanë marrë kredi për shtëpi kanë bërë një sigurim, por ka dy lloje sigurimesh, në varësi të asaj që ka ofruar banka ose asaj që ka kërkuar kredimarrësi. O ka siguruar vlerën e pasurisë në vlerën e tregut ose çdo vit ka siguruar vetëm vlerën e kredisë së mbetur.

Të gjithë ata që kanë marrë kredi duhet të adresohen pranë bankës të informohen se çfarë duhet të bëjnë konkretisht, por të gjithë ata që kanë të paguar prim sigurimi janë të mbrojtur pasi shoqëria e sigurimit duhet të paguajë pjesën e mbetur të kredisë”, tha Brumbulli.