E bujshme! Pandeli Majko refuzon të jetë Kryeministër i marrëveshjes PS-PD për krizën

Pandeli Majko refuzon që të bëhet kryeministër në bazë të një marrëveshjeje PS-PD. Ministri i Diasporës thekson se, e cilëson si nder të jetë kryeministër i socialistëve, por nuk do të pranojë të shërbejë për pazarin e radhës politik mes dy kryetarëve të partive kryesore në vend.

Reagimi i Majkos:

Një editorial i gazetarit Mero Baze më ka shpallur të “përzgjedhurin” e opozitës për të drejtuar mazhorancën. Padyshim që artikulli nuk është në “ajër” pasi pena e Bazes nuk ngjyen në bojën e imagjinatës. Me një siguri, të cilën e zotëron kur ka informacion ai në shkrimin e tij nënvizon se “Lulëzim Basha do zgjedhje…me një kryeministër që e pranon ai, në këtë rast Pandeli Majkon…” (!)

Jetojmë në kohë të vështira dhe ankthi për politikën! Në dijeninë time, nuk më ka marrë malli të bëj gjëra të cilat i kam përbuzur që ditën që i kam hyrë politikës. Zoti Baze e di këtë edhe kur ai (pa ironi) ishte një bashkëpunëtor luajal i Sali Berishës.

Roli i “delfinit” është një kostum i cili nuk më është përshtatur në politikë. Kam bërë “dezhurn” (sic shkruan Baze) që 30 vjec në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë, jo për “fajin” tim. Kam shërbyer, dhe kur kam lënë zyrën, vendi ka qenë më mirë se sa ditën kur e kam marrë detyrën.

Titullin “kryeministër i socialistëve” e konsideroj një nder, të cilin nuk kam ndërmend ta shkëmbej në pazarin e maskave të politikës. Ditët e vështira i konsideroj provë për besimin dhe jo bukshkalësinë.

Pena e Meros është e rrallë në gjetjën e dobësive të politikës. Sot, ajo, më bëri të qartë frikën e saj. Kësaj të fundit nuk kam cfarë i bëj. Padyshim, frika e frikacakut të vret ndonjëherë më shumë se trimëria e trimit. Në korridoret e politikë shqiptare i njoh rregullat. Një prej tyre është se “Lajmësi nuk ka faj”! Ai është dezhurni i kohës! Sigurisht!