E dënoi komunizmi/ Mbesa e juristit shqiptar rrëfen: Si e eliminoi Enver Hoxha, i njihte veset e rinisë

Mbesa e ish-juristit të dënuar nga regjimi komunist, Abdulla Rami, Ermira Xhomaqi, ndodhet prej ditesh në Shqipëri, pasi ka vite qe ajo jeton në Paris.

Ermira ka ardhur për të kujtuar emrin e tij, që ndryshe nga të tjerët, historia e këtyre 28 viteve liri, nuk e ka përmendur shumë.

Ajo ka treguar edhe se si ka ndikuar ne jeten e gjyshit te saj njohja qe ai kishte me Enver Hoxhen.

Si ishte jeta e Ramit pas rikthimit në Shqipëri dhe në ç’pikë ndryshoi ajo?
Jeta e Ramit, ish-liceistit të Liceut Francez të Korçës dhe studentit të shkencave juridike në Montpellier, bashkënxënësit të Enver Hoxhës, asnjëherë të konformuar me synimet dhe praktikat e tij staliniste, do ta ndryshonte në mënyrë tejet kaotike trajektoren e saj, dhe kjo është arsyeja për të cilën çdo etapë të lidhur me të e shoh sot si një paradoks të thellë e evident. Paradoks që është i lidhur pazgjidhshmërisht me angazhimin politik të Ramit.

Paradoks sepse, megjithëse figurë e një juristi me një vizion të qartë për drejtësinë, ngjizur në auditorët frankofone, model i një atdhetari dhe nacionalisti të vendosur në bindjet e tij, model i një oratorit “par excellance”, i një politikani, mendjehapur, i cili u përpoq të vinte një gur në themelet e një shteti modern shqiptar, Abdulla Ramit i privohet liria dhe e drejta e ushtrimit të profesionit, prangoset dhe mbijeton 18 vjet në birucat e Burgut të Tiranës, Gjirokastrës dhe Burrelit e më pas do të kalonte vite të tëra në internim.

E pavarësisht nga të gjitha këto, ai mbeti qëndrestar i paepur e i papërkulur në idealet dhe bindjet e tij, i cili nuk pranoi kurrë asnjë kompromis me regjimin ne pushtet. Jeta e Ramit u mbështoll thellë e më thellë në këtë paradoks, sepse edhe pas daljes nga ferri i Burrelit, ai dhe familja e tij u internuan e u dëbuan, ai vetë u detyrua të bëjë punë të rënda krahu, e megjithatë mbeti sfidues ndaj vështirësive ekonomike dhe optimist për të ardhmen. Ai mbeti poeti i talentuar, i cili përcolli të gjalla dhimbjet nga skëterra e Burgut të Gjirokastrës dhe Burrelit, u bë poligloti dhe transmetuesi i mesazheve të fuqishme në përzgjedhjen e përkthimeve të pamfleteve historike të Victor Hugo-së, Lordit Bajronit, Jean-Marie Guyau-së, Clarence Dey-it, Henry Van Dykeut, Walter Skott-it, Emily Jane Brontë, William Johnson Cory-it, Andre Chénier-së e të tjerë e të tjerë.

Si ndikoi në jetën dhe fatin e tij njohja me Enver Hoxhën?
Ndeshja e Abdulla Ramit dhe shumë bashkënxënësve me Hoxhën, që në bankat e Liceut të Korçës do t’u kushtonte atyre shtrenjtë, shumë shtrenjtë. Pothuajse të gjithë ata që kishin njohur atë nga afër, miq e shokë, po edhe ata që e njohën në mënyrë të rastësishme, u internuan, u burgosën, u torturuan, u vranë dhe u zhdukën menjëherë mbas marrjes së pushtetit prej tij. Enver Hoxha i përmend disa herë vëllezërit Rami në librin e tij të kujtimeve “Vitet e Rinisë”, duke lënë në harresë qëllimisht të gjithë kalvarin e vuajtjeve që ai u shkaktoi atyre dhe bashkëliceistëve të tjerë të Liceut të Korçës. Në të vërtetë ata ishin nga të paktët dhe të rrallët dëshmitarë të historive të vërteta të rinisë së Hoxhës që padyshim nuk duhej të dilnin në sipërfaqe, por duheshin fshehur me çdo mjet dhe mënyrë.

Ishte kjo, me sa duket, arsyeja për të cilën Enver Hoxha kërkoi të mos mbetej asnjë dëshmitar prej tyre, por edhe shumë nga veset e rinisë së tij të hershme. Menjëherë pas marrjes së pushtetit, Hoxha i veshur me hakmarrje dhe xhelozi, i eliminoi ata fizikisht. Pikësëpari, ata që i konsideronte si kundërshtarë politik me një potencial intelektual të padiskutueshëm.