E dini sa mijëra euro mund të kenë humbur këngëtarët këtë sezon?

Ndonëse masat ndaj Covid-19 po lehtësohen në pjesën më të madhe të botës, aktivitete kulturore dhe koncertet e këngëtarëve janë ende rrezik për përhapjen e virusit, ndaj ky sezon me gjasë do të kalojë pa asnjë koncert për këngëtarët shqiptarë, duke u shkaktuar kështu qindra mijëra euro humbje nga të ardhurat e tyre.

Duke patur parasysh shumat që disa prej këngëtarëve të njohur fitojnë në koncerte gjatë sezonit të verës, Prive.al ka bërë një përllogaritje të përafërt të shumave që Ledri Vula, Tyna, Noizy, Labinot Tahiri e të tjerë artistë do të humbin këtë verë për shkak të pezullimit të aktiviteteve.

“Më e kërkuara e momentit, me dy e deri ne tre performanca brenda natës, thuhet se nga klubet gjatë verës, Tayna është paguar nga 7000 deri në 12000 euro. Me rreth 60 mbrëmje gjatë sezonit me opsionin më gjeneroz, Tayna parashihet të mos arkëtojë nga koncertet një shumë prej rreth gjysmë milioni eurosh, duke llogaritur pjesën e pagesave të stafit dhe shpenzimeve tjera.

Rreth 400,000 euro mund të mbetë pa i përfituar edhe Ledri Vula, një prej artistëve më të paguar e më të kërkuar.

Capital T, Butrint Imeri e Dhurata Dora, Noizy e Meda, bazuar në shifrat e publikuara prej rreth 6000 eurosh për një koncert, supozohet se mund të mos marrin rreth 300,000 euro këtë verë. Rreth 250,000 euro mund t’i humbasë edhe lideri i Babastars, Getoar Selimi.

Premtuese vera duket të mos jetë as për Sinan Vllasaliun, Ramadan Krasniqi – Danin e Labinot Tahirin, nëse mbesin në fuqi masat e ndalimit të grumbullimeve në koncerte. Me çmime për dasma e mbrëmje muzikore nga 4000 deri 5000 euro, humbjet potenciale përllogariten në rreth 350,000 euro. Të njëjtin qarkullim supozohet ta ketë edhe Ermal Fejzullahu”; shkruan Prive.al

Pra në vetëm një sezon, ndonëse të ardhurat që gjenerohen nga koncertet nuk kanë qenë asnjëherë mjaftueshëm transparente nga artistët, me përafërsi janë miliona euro humbje që ka shkaktuar Covid-19 në portofolin e tyre.