E fundit/ T.rondit kryebashkiaku demokrat, tregon “pa dashje” kur do të mbahen zgjedhjet

Me vendimin e Ilir Metës për të anuluar datën e zgjedhjeve, skenarë të rinj kanë dalë.

Meta me nxitim ka nisur të takojë aleatët e kryedemokratit Lulzim Basha, dhe në thelb të këtyre takimeve është caktimi i një date të re për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.

Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama shpreh sërish vendosmërinë për 30 qershorin duke e quajtur vendimin e Metës “nul”.

Zëra nga opozita flasin për shtyrjen e zgjedhjeve me të paktën 6 muaj, por ekziston edhe një version tjetër; ai i mbajtjes së zgjedhjeve në muajin tetor.

Duket se këtë version e ka zbuluar pa dashur kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu. Ky i fundit, në një postim në rrjetet sociale ku e sfidon kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj për gjendjen e rrugëve, zbulon edhe datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale sipas demokratëve.

“Zgjedhje në 30 qershor nuk ka për të patur kurrë”, shkruan Mziu, ndërsa më tej vijon duke e ftuar Veliajn të përballet “në zgjedhjet reale”, në 20 tetor.

“Shihemi në zgjedhjet reale të 20 tetorit 2019”, shkruan në fund të postimit Mziu. A është vendosur tashmë data e zgjedhjeve vendore në 20 Tetor të 2019-ës? Mbetet për t’u parë…