E reja humbi jetën në maternitet 1 orë pasi lindi vajzën, ministrja del me deklaratë të fortë

Ka folur sot për të parën herë edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në lidhje me ngjarjen e rëndë në maternitetin e Elbasanit.

25-vjeçarja Rexhina Debrova mbylli sytë përgjithmonë vetëm 1 orë pasi u bë nënë.

E ftuar në “Abcnews”, Manastirliu tha se është ngritur një grup ekspertësh të cilët do të bëjnë verifikimet e nevojshme për të zbardhur vdekjen e së resë nga Cërriku.

Ministrja tha se pas rezultateve të ekspertizës mjeko-ligjore do të përcaktohen dhe përgjegjësit për vdekjen e 25-vjeçares.

“Është një ngjarje shumë e dhimbshme. Si ministre e Shëndetësisë, si grua shpreh ngushëllime familjes për humbjen. Nuk është e lehtë të përballesh me ngjarje të tilla. Më beso që asnjë mjek nuk do donte që të përballej me ngjarje të tilla. Sapo jam informuar kam ngritur një grup ekspertësh për të verifikuar protokollin që është ndjekur në rastin në fjalë.

Grupi është duke punuar. Paralelisht është prokuroria e cila po heton. Presim të dalin edhe rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore në verifikimin që po bëhet në kuadër të hetimeve dhe do të marrim të gjithë vendimet e mëpasshme pas daljes së këtyre ekspertizave për të marrë dhe ngarkuar me përgjegjësi nëse do të ketë vend për përgjegjësi apo do të ketë vend për përmirësim të mëtejshëm në raport me shërbimin mjekësor në spital”, tha Manastirliu.