‘E solli nga Parisi me thonjtë e paprerë’/ Fatos Nano kryqëzon Ramën: Koha jote mbaroi!

Ish-kryeministri socialist, Fatos Nano, pas aktivizimit në rrjetet sociale, ka komentuar situatën politike në vend, pa harruar të flasë edhe për ish-benjaminin e tij, Edi Rama.

Në një reagim të fundit në Facebook, ai shkruan se, koha për Ramën kryeministër ka perënduar, duke kërkuar largimin e tij.

“Pushteti të ndryshon, të verbon dhe ndonjëherë të ngadalëson, por duhet ta pranosh gjithmon se kur të vjen fundi, duhet të dorëzohesh sepse atëherë Shqipëria mund të ecë para. Ti dhe aq sa munde, por nuk je i denjë për ta ndryshuar më Shqipërinë, je në kohë për t’u larguar, sepse populli humbi besimin në ty”, shkruan Fatos Nano, përcjell gazeta “Koha Jonë”.

Pas këtij postimi nuk kanë munguar komentet e shumta të ndjekësve, të cilët kanë shpërthyer në kritika ndaj ish-kryetarit të PS, duke I kujtuar se vetë ai e solli në politikë.

“Ai që e shkatërroi këtë vend, është ai mosmirënjohës që ti solle në politikë”, lexohet në një prej komenteve.

Edi Rama u rikthye në Shqipëri në vitin 1998, kur pikërisht Fatos Nano do ti besonte postin e ministrit të Kulturës. Ndërsa pas prishjes me të do ti kujtonte se e “kishte sjellë nga Parisi me thonjtë e paprerë” teksa shiste ikona rrugëve të kryeqytetit francez.