E tme.rrshme/ Po të kishte qenë në ndeshje?! Stuhia e erës i shkakton dëme kolosale stadiumit “Air Albania”

Era e fortë e disa ditëve më parë ka sjellë dëmtime në “Arenën Air Albania” në kryeqytet. Flitet për një faturë të lartë financiare, por stadiumi gjithsesi është gati për Ndeshjen e Yjeve, që do të luhet për të ndihmuar banorët e goditur nga tërmeti.

Nga pamja e jashtme nuk kuptohet shumë, edhe pse janë bërë shumë ndërhyrje, madje edhe në fasadë. Gjithsesi, burimet brenda kompanisë që po punon bëjnë me dijë se “Arena Air Albania” e ka marrë një goditje.

Ka qenë era e fortë e disa ditëve më parë, por edhe tërmeti që ka shkaktuar dëmtime, ndonëse jo për strukturat e stadiumit apo për fasadën, por për pajisje të brendshme, sidomos ato prej xhami. Flitet se shifrat e dëmeve mund të arrijnë në miliona euro, dhe kjo bëhet me dije nga burime shumë pranë kompanisë “Albstar” që është marrë me ndërtimin e stadiumit.

Jo vetëm kaq, por thuhet se ka sjellë shqetësime të mëdha për kompaninë e cila raportohet se ka shpenzuar deri tani 58 milionë euro, dhe duhet të nxjerrë nga xhepi edhe shumë më tepër, ndërsa nuk është e qartë sesa do të arrijë të fitojë.

Shkak, sipas këtyre burimeve ka qenë lënia hapur e disa dritareve në fasadë, gjë që ka lejuar hyrjen brenda të erës së fortë, dhe fuqia e saj është rritur në korridoret e brendshme të stadiumit.

Nuk ishte e mundur për “Abc Neës” që të merrte një koment nga drejtuesit e lartë të “Arenës Air Albania”. Gazetari Bledar Kuka thekson se në stadium vazhdojnë punimet, ndonëse është e vështirë të dallosh nëse flitet për rregullim të dëmeve, apo thjesht për vijim të procesit të përfundimit të impiantit.

Ndërkohë Burime nga “Arena” bëjnë me dijë se ka disa ditë që dëmet po rregullohen dhe se tani thuajse gjithçka është në rregull. Kjo do të thotë se nuk do të ketë asnjë problem për tifozët dhe publikun që do të ndjekë ndeshjen e yjeve, të organizuar për mbledhjen e ndihmave për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar./abcnews.al