E trishtë, një fshat ku nuk dëgjohet asnjë e qarë fëmije

Një rrëfim i trishtë vjen nga banorët e fshatit Bujqës në Elbasan, të një jetë që për ta nuk ka jetë. Vezhgimi vjen nga Klan Plus, ndërsa në këtë fshat mbretëron heshtja dhe pritja.

Fshati Bujqës në Elbasan, është fare pak kilometra larg qytetit dhe arrihet për 15 minuta me makinë. Dikur kjo fushë pjellore dhe e sistemuar, quhej Myzeqeja e Elbasanit. Por tani shumica e tokave nuk mbillen. Pasi nuk ia dolën të jetojnë me bujqësi, banorët iu drejtuan emigrimit në Greqi, Itali, Britani e Gjermani. Ikën, punuan, u kthyen për të ndërtuar shtëpitë e reja dhe ikën sërish. Tashmë në shumë prej këtyre shtëpive moderne nuk jeton njeri, ose jetojnë vetëm të moshuarit.

Brenda këtyre shtëpive nuk ka as zhurmë e as jetë. Vetëm trishtim dhe pritje. Pas ikjes masive të viteve të fundit, banorët tregojnë se numri i fëmijëve është reduktuar shumë, ndërsa mosha mesatare e fshatit është mbi 60 vjeç. “Nuk shoh një fëmijë të vogël në fugon apo autobus, të kënaqet shpirti ta shoh…”, tha një tjetër banor.

Në rrugët e pashtruara të fshatit, ndeshim një nga të rinjtë e mbetur, i cili e ka vendosur se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Duke përsëritur refrenin se “çfarë do të bëj këtu” të rinjtë e Bujqësit u larguan, për tu kthyer një herë në vit. Disa edhe shumë më rrallë. Dikur një fshat i zhurmshëm, tashmë kafenetë e pakta modeste frekuentohen fare pak. Dhe tema e bisedës është sërish vetëm ikja. Braktisja e vendit nga rinia është tashmë në përmasat e një drame kombëtare. Ajo është bërë refreni i çdo apeli ndërkombëtar, në Bruksel, Berlin, Vatikan e Londër. Por në Tiranë ende nuk konsiderohet një problem i madh.