E TRISHTË/ S’ka pasur kurrë një familje, kush është Bledari luleshitësi që u arrestua në protestë

Një histori e trishtë është ajo që buron nga protesta e opozitës. Një i ri i cili është arrestuar si një protestues kundër qeverisë, Bledar Dule në fakt është një luleshitës. Ai u ndodh në bulevard për aktivitetin e tij me të cilin mund të sigurojë kafshatën e gojës e për tu kujdesur për nënën e tij dhe nuk ka qenë kurrë pjesë e strukturave të PD. Këta fakt e konfirmon edhe vetë PD në një reagim në rrjetin social.

“Dulja (si e thërrasim ne) është rritur jetim, nuk ka pasur kurrë kujdesin e familjes, nuk ka pasur kurrë një dhomë të vetme të tijën, madje dhe sot e kësaj dite nuk ka një televizor. Dulja shet lule nëpër Tiranë dhe shumë prej jush mund ta kenë hasur, si dhe ndihmon të gjitha dyqanet e lagjes me punë të vogla për t’u ushqyer. Një zonjë të cilën ai e quan Nëna, kujdeset për ta larë, gatuar etj. Dulja nuk ka qenë kurrë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike dhe nuk është as sot.”, thuhet nga kjo parti.

Reagimi i plotë i PD-së:

Ky është Bledar Dule. I arrestuar mbrem në orën 01:45 si dhunues i policisë gjatë protestës së djeshme. Dulja (si e thërrasim ne) është rritur jetim, nuk ka pasur kurrë kujdesin e familjes, nuk ka pasur kurrë një dhomë të vetme të tijën, madje dhe sot e kësaj dite nuk ka një televizor. Dulja shet lule nëpër Tiranë dhe shumë prej jush mund ta ken hasur, si dhe ndihmon të gjitha dyqanet e lagjes me punë të vogla për tu ushqyer. Një zonjë të cilën ai e quan Nëna, kujdeset për ta larë, gatuar etj.

Dulja nuk ka qenë kurrë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike dhe nuk është as sot. Dulja proteston sepse disa vite më parë u nxorr ne rrugë të madhe nga Bashkia Tiranë, së bashku me shumë fatkeq të cilët janë në të njëjtat kushte. Ata jetonin që prej fëmijërisë së tyre në disa ambiente pranë pallatit me shigjeta, u nxorën në rrugë dhe kurrë nuk u konsideruan si të denjë për banesat e famshme sociale, të cilat i përfitojnë ata qe kanë 3-4 të tilla në pronësi.

Nuk ka një televizor në dhomën e marre me qira, i sheh ndeshjet e Juventusit dhe telenovelat në të njëjtin lokal ku shohim Interin ne, në një tavolinë të cilën pronari ja ka lënë të lirë çdo natë, bashkë me çajin e kamomilit. Sot ndodhet në ambientet e komisariatit nr.2 Tiranë, si dhunuesi forcave të rendit.

0, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,
ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët –
n’agoni të përdihet si vigan i vramë.