E turpshme/ Bashkia Shkodër ka vënë 600 “mina me sahat” nën këmbët e fëmijëve

Shkodra ishte në prag të një tragjedie paradrekën e së martës. E në fakt kur bëhet një përkufizim i tillë, nuk është aspak i ekzagjeruar, por një kambanë alarmi që duhet të bjerë fort për ta dëgjuar të gjithë. Bombola e gazit me të cilën ngrohën sot dhjetra fëmijë të shkollave nga kopshti, klasat e para e deri në gjimnaze, mori flakë pikërisht në klasën e tetë të shkollës “Ndre Mjeda” në Shkodër.

Fëmijët u nxorën me shpejtësi jashtë mjediseve të klasës, e guximi i një mësuesi – prind, bëri që mes flakëve të arrinte të ndalte gazin që rrjedh në bombol, ku pas fikjes së saj, shmangu edhe një tragjedi. Një tragjedi që Zoti deshi të mos ndodhte, pasi as nuk mund të mendohet pasojat që do të kishte patur, në një shkollë që më së paku i numëron 500 fëmijë e staf pedagogjik brenda saj. E në fakt ajo që ndodhi, është një “alarm” i lëshuar vite më parë, që në ditën kur në shkollat tona, nisen për herë të parë të dërgohen si mjet ngrohje pikërisht të tilla pajisje me gaz, që jo vetëm janë tejet të rrezikshme, por mbi të gjitha edhe për vetë gazrat që lëshojnë, do të duhej të ishin larg këtyre mjediseve.

Por të gjithë heshtën! Qeverisja qendrore dhe ajo lokale u bënë palë, e duke e parë si zgjidhje të shpejtë e me kosto më të ulëta për ta, ranë dakord që fëmijët të ngrohen mes një “mine me sahat” që u vendos në çdo klasë. Bombola e pajisja të pakolauduara, e të kontrolluara sa dhe si duhen, që fiken e ndizen në shumë raste nga fëmijët, e që qëndrojnë në mes të klasave megjithëse rreziku që mbartin brenda tyre është i lartë dhe me pasoja fatale. Në Shkodër numërohen sot të shpërndara 600 bombola në shkolla e kopshte, një shifër që nuk ka nevojë për shumë komente.

Askush nuk bën zë, as Inspektorati Qendror Shtetëror që nga paratë e qytetareve paguhet për të kryer këto kontrolle, garantuar siguri e parandaluar të tilla ngjarje tragjike. Madje nuk dihet nëse funksionon si inspektoriat në qytetin e Shkodrës! Bashkia e qytetit nga ana tjetër ka parë si zgjidhje që fëmijëve në klasa tu dërgojë bombolat si mjeti më i lirë dhe i shpejtë në mungesë të kaldajave, sobave me dru, apo në fund të fundit ngrohjes me energji elektrike. Alternativat më të thjeshta triumfojnë përballë jetës së fëmijëve dhe të gjithë heshtin, bëhen pale me një krim të vetedijshëm që ndodh në mes të ditës, e në sy të të gjithëve.

Pas kësaj ngjarje të rëndë të mbyllur pa pasoja, të gjithë duhet të reagojnë me forcë, Bashkia Shkodër, ISHTI, vetë qeveria shqiptare dhe mbi të gjitha prindërit, që në klasat e fëmijëve të tyre të mos lejojnë të tilla mjete ngrohëse, që mund të bëjnë hatanë nga çasti në çast, e të marrin jetë të pafajshmish, që nuk kursehen nga egoja e një pushteti të tërë dhe disa njerëzve që janë zgjedhur të na qeverisin si duhet dhe jo të na mbysin pa mëshirë./ShkodraNews