E vërteta e kulluar, kush e grabiti floririn shqiptar

Nga Kastriot Dervishi

..Një ndër krimet më të njohura të regjimit komunist në Shqipëri, me karakter sa ekonomik aq edhe politik, është edhe grabitja e madhe e floririt që ndodhi kryesisht në vitet e para të regjimit, nën justifikimin e “tatimit të jashtëzakomshëm të luftës”. Kjo grabitje masive përveç shkatërrimit shoqëror solli edhe pasojën e paevitueshme të shkatërrimit ekonomik, duke i hequr vendit një shans jo të vogël në rimëkëmbjen ekonomike dhe kombëtare të tij. Duke qenë se organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë deklaruar si shumë të grabitjes së tyre shifrën e 43.816.682 monedhave të sekestruara, dhe duke pasur parasysh se hyrjet e arit në Thesarin e Shtetit kanë qenë të vogla apo të papërfillshme, formulohet natyrshëm pyetja se ku shkoi gjithë ajo sasi ari që grabitën komunistët pas lufte.

Dhe jo vetëm kaq por edhe sepse një pjesë e konsiderueshme e këtij ari, në periudha të ndryshme ka shkuar për llogari të udhëheqjes së lartë komuniste, në majat e së cilës ndodheshin padyshim Enver Hoxha, Hysni Kapo dhe më pas edhe Ramiz Alia. Ky dossier merr përsipër të zgjidhe sa është e mundur enigmën e madhe të grabitjes së arit shqiptar nga komunistët. Për të pasur një vizion sa më të plotë historik, nuk do të lemë jashtë vëmëndjes edhe ndriçimin e të vërtetës në lidhje me falsifikimin e historiografisë komuniste që ka akuzuar Mbretin Zog si “vjedhës të floririt më 7 prill 1939”.

Po ashtu nuk do të lemë jashtë objektit të dosserit edhe historinë e arit që u ruajt nga gjermanët në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Po këtu do të botojmë edhe marrëveshjen e qeverisë shqiptare dhe të asaj gjermane më 6 prill 1944 në lidhje me këtë ar.

Sigurisht që trajtimi i këtij dosseri në formën e mësipërme ndër të tjera merr përsipër të tregojë se nuk ka qenë e vërtetë që Shqipëria ka qenë një vend i varfër apo i shkatërruar siç i interesonte ta paraqiste regjimi komunist. Një vend i mbuluar me një sasi të madhe floriri nuk mund të quhet kurrsesi vend i varfër.

-SHQIPERIA, VENDI I FLORIRIT

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, fondet monetare të ngelura në qarkullim (duke përfshirë këtu edhe depozitat) ishin ato të trashëguara nga sistemi monetar i Perandorisë Osmane, i përshtatur ky që nga viti 1844 e mbrapa. Monedha ishte Lira Otomane ari që vlerësohej në 100 grosh argjent (pjastres argent). Për shkak të situatave të paqëndrueshme dhe për shkaqe të luftrave të ndryshme, në Shqipëri edhe pas vitit 1913 e deri në vitin 1926 qarkulluan monedha të shteteve të ndryshme.

Këto monedha kanë qenë me vlerë dhe emëritim të ndryshëm si menduhie, 5 frangëshe, 10 frangëshe, 20 frangëshe (napoloni), lira angleze (25 franga) lira turke (22 franga)

Në fillimet e stabilitetit të shtetit shqiptar, më 6 maj 1920, Këshilli i Ministrave me anë të vendimit nr. 273 vendosi për herë të parë nxjerrjen e monedhës shqiptare në bazën e frangut të arit. Mbi bazë të një kursi të caktuar filloi edhe grumbullimi i monedhave të huaja. Kështu një stërlinë u vlerësua me 25 franga ari, një lirë otomane me 22 franga ari etj.

Në vitin 1922, profesor Kalmes paraqiti para Lidhjes së Kombeve në Gjenevë me kërkesë të kësaj të fundit, një raport të rëndësishëm të Komisionit Financiar të Lidhjes, ku ndër të tjera në lidhje më Shqipërinë thuhej:

“….Shqipëria zotëron një stok të rëndësishëm metalesh të çmuara të vlerësuara 50 – 100 milion frangash ari, pa marrë parasysh arin e investuar në stolira….” (shih dosjen nr 2 të Fondit të Bankës së Shtetit). Sipa librit “Financa dhe krediti në RPSH”, në vitet 1922 – 1925, në Shqipëri kishte në qarkullim e në thesar një sasi prej 100 milion frangash ar. E përkthyer ndryshe, shifra e mësipërme ka si minimum të saj një sasi prej 320 tonësh ar.

Përsa i takon disiplinimit monetar situata pati një ndryshim të dukshëm në vitin 1926 kur hyri në fuqi ligji organik i Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe ai i rregullimit të monedhës i miratuar më 12 korrik 1925 nga Dhoma e Deputetëve. Ndonëse u përjashtua plotësisht përdorimi i monedhave të huaja në marrëdhëniet zyrtare, pati mjaft individë që pëlqyen të ruajnë një sasi jo të vogël të këtyre monedhave. Në vitin 1926 u vunë në qarkullim monedhat metalike me vlerë 100 franga ar, dhe një vit më pas ajo me vlerë prej 20 franga ari.

Në vitet 1935 dhe 1937 pati një hedhje në qarkullim të mbi 1,5 milion monedhash që në shumicë përbëheshin nga argjendi, ari dhe pak nga bronxi. Sipas dokumentave shtetërore në fund të vitit 1938 gjendeshin në thesarin e shtetit 2400 kg ar (ose 378 mijë napolona sipas kursit 1 napolon baraz me 20 franga ari). Sikurse vihet re me lehtësi, qytetarët shqiptarë zotëronin shumë herë më tepër ar (mbi 100 herë) sesa kishte thesari i shtetit.

Përshtypje të veçantë i kishin lënë Viktor Emanuelit të III-të gjatë vizitës që ai kreu në Shqipëri në maj 1941, zbukurimet e shumta që përdornin shqiptarët në rrobat e tyre më ar. Për vetë Emanuelin kjo kishte qenë një befasi e madhe dhe e paimagjinueshme.

Po ashtu në kohën e Luftës së Dytë Botërore, tregëtarët shqiptarë ruajtën dhe i forcuan pozitat e tyre ekonomike. Në mbarim të luftës, Shqipëria rezultonte si vendi më i pasur i Ballkanit sidomos përsa i takonte rezervave të arit dhe rezervave të tjera ekonomike. Po ashtu rezultonte se në pushtet kishte ardhur klasa më kriminale politike që kishte pasur ndonjëherë vendi.

-E VËRTETA NË LIDHJE ME THESARIN E “GRABITUR” NGA MBRETI ZOG

Regjimi komunist u shqua për shumë gjëra të mbrapshta në Shqipëri. Një ndër punët më të mbrapshta të tij ishte edhe grabitja masive e arit qytetarëve shqiptarë, burgosja apo pushkatimi i tyre.Nga ana tjetër për të dhënë një imazh krejt tjetër të hajdutit, për 50 vjet me radhë u përhap gënjeshtra e madhe e “vjedhjes së thesarit të shtetit” nga Mbreti Zog në kohën kur ky i fundit, i diktuar nga rrethanat ndërkombëtare, dhe me vendim të parlamentit shqiptar, kishte lënë Shqipërinë të nesërmen e 7 prillit 1939.

Dhe një gënjeshtër të tillë e fabrikonin dhe e mbronin pikërisht ata që kishin vjedhur një sasi ari që llogaritet në 320 tonë. Në fakt askush nga propaganduesit e kësaj teze nuk e ka ditur që thesari i shtetit shqiptar në kohën kur bëjmë fjalë ndodhej në Romë dhe jo në Tiranë. Sipas dokumentave zyrtare, ministri i Financave Kolë Thaçi (1886 – 1941) ka tërhequr sipas të gjitha rregullave shtetërore, me autorizimet 2031/65 dhe 2031/79 (të datave 31 mars dhe 3 prill 1939), shumën e 448.535 frangave ari, të cilat ishin në llogari të Mbretit Zog. Në lidhje me këtë drejtori i thesarit Kel Naraçi në relacionin 73/1 të datës 6 qershor 1939, thotë:

“I nënshkruemi Kel Naraçi dhe arkëtari i përgjithshëm Ramadan Berberolli pritshin në zyrë sipas telefonatës të ish kryeministrit (Kostaq Kotta).

Pas pak arriti në bankë një automobil i pallatit i shoqnuem nga dy ushtarë e një toger i gardës i quajtur Selim Gjoci, i cili …….ftoi të nënshkruemin (K.N) dhe arkëtarin e përgjithshëm që ta shoqëronin tek Mbreti Zog me të gjithë gjendjen e monedhave të arit që u nxorrën nga arka nën vrojtimin e togerit Selim Gjoci, i cili fut në strajca sasinë e tregueme më sipër (448.535 franga ari), e cila sipas thënieve të ish ministrit Kolë Thaçi do të merrej në dorëzim me proces – verbal të nënshkruem prej pjestarëve të Këshillit Ministror që ishte mbledhur në shtëpinë e z.Kostaq Kotta, ku gjetëm Mbretin Zog, midis ministrave Musa Juka, Ekrem Libohova, Faik Shatku dhe Abdurrahman Matit, Xhaferr Ypit, Sotir Martinit, Allaman Çupit, Ndoc Kurti, Jani Dallamanga, Milto Noçka etj…….

Në prani të tyne i lëshuem për anë ku kishte ndenjë Mbreti Zog të 13 strajcat që mbajshin monedhat e arit në llojet e sasitë e tregueme në konfirmacionet bashkangjintur…………Në shtëpi ndëgjoheshin telefonime, urdhna, nervozitet e qëndrime luftarake në një rrëmujë e tension të papërshkuem……..

Ndërkohë meqë aeroplanët po fluturonin përsipër, Mbreti Zog me pjestarët e Këshillit që kish për anë, shkoi te shtëpia e vëllait të vet Xhelalit, ngutësisht tue marrë me vete dhe arin që ish në saketa në anë të tij Në këtë rast arkëtarit Ramadan Berberolli iu tha të shkonte përsëri në zyrë i shoqnuem prej togerit Selim Gjoci për t`i dhënë edhe ç`ndodhje tjetër në arkë si monedha, banknota, ar, etj, në dorëzim te Mbreti Zog dhe për t`i çuar në shtëpinë e Xhelalit.

Z.Ramadan Berberolli dorëzoi në shtëpinë e zotit Xhelal Zogu 118.195 franga ari dhe qëndroi deri në orën 16.00 në shtëpinë e zotni Xhelalit për me mujtë me marrë ndonjë dëftesë nga Mbreti Zog për të gjithë sasinë e arit e të monedhave që arrijshin 566.975 franga ari. Vetëm pas numërimit e në ikje e sipër, pas shumë përpjekjesh, iu mor major Allaman Çupit, adjutant favorit i Mbretit, që të nënshkruante për të, një dëftesë (dorëmarrje) si kopja bashkëngjitur”.

Në tërësi duhet thënë se Mbreti Zog tërhoqi nga arka e shtetit shqiptar në prani dhe me miratim të Këshillit të Ministrave, shumën e përafërt të 567 mijë frangave ar që përbënin 183 kilogram ar. Duhet kujtuar se rroga vjetore e Mbretit Zog ishte 500 mijë franga ari. Po ashtu duhet të kemi parasysh se në favor të tij shkonte edhe shuma e përfituar nga shitja e një pylli në Mat. Siç edhe shikohet Mbreti Zog ka marrë me vete pak më shumë se rrogën e një viti. Kjo sasi monetare është përdorur në masën më të madhe për të paguar rrogat e personave që shoqëruan Mbretin dhe diplomatë si Faik Konica etj.

Ky i fundit ka qenë edhe ndër njerëzit më të paguar (më 13 korrik 1942 për shëmbull ka marrë një mijë dollarë). Si provë për këtë kemi mundur të gjejmë edhe një pjesë të dëftesë pagesave të përdorura atëherë. Në këto deftesë pagesa figurojnë ndër emrat më njohur edhe Mirash Ivanaj, Mehmet Konica, Abaz Kupi, Hiqmet Delvina, Qemal Butka, Peter Kolonja, Nikola Prifti etj,

Për t`u kujtuar është gjithashtu fakti që pushteti i ri i vendosur pas 7 prillit 1939, sekuestroi edhe shumën e 20 mijë frangave ari të Mbretëreshës Geraldinë, shumë e cila ndodhej në Bankën e Shqipërisë dhe që nuk ishte tërhequar nga poseduesja. Dekreti i ministrit sekretar shteti për Drejtësinë doli më 16 shtator 1939 dhe u botua në “Fletorja Zyrtare” më 5 dhjetor 1939, pasi është mbajtur si “sekret” për disa javë.

-E VËRTETA E “RRËMBIMIT” TË ARIT SHQIPTAR NGA GJERMANËT NË VITIN 1944

Është folur shumë herë për “grabitjen” e arit shqiptar nga gjermanët në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Sasia e arit prej 2454 kilogram e 874,5 gram u konfiskua nga britanikët në kriporen Merkers të Gjermanisë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Më pas lindi ajo histori që tashmë njihet midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe pas incidentit të kanalit të Korfuzit, më 22 tetor 1946. Britania e Madhe si një nga fituesit e Luftës së Dytë Botërore kërkoi nga pala shqiptare, pranimin e fajit dhe pagimin e dëmshpërblimit, gjë që u refuzua nga udhëheqja e atëhershme komuniste.

Sasi e lartpërmendur e arit ishte marrë në Romë pas kapitullimit të Italisë në “Banka d`Italia” dhe në kushtet e luftës së përbotshme ishte administruar nga gjermanët pa u keqpërdorur nga ata. Gjermanët e kishin marrë sasinë e arit në mënyrë që ai të mos binte në dorë të aleatëve.

Në lidhje me këtë çështje, më 16 shtator 1943, Ambasada Gjermane në Romë, me anë të një telegrami të shifruar të nënshkruar nga Vishter, njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë për aksionin e marrjes së arit shqiptar në Romë. Ndër të tjera në telegram thuhet:

“Konfiskimi i rezervave të arit dhe të devizave, u bë me një aksion të befasishëm të një komande të SS-it, e ku ishte i pranishëm një nëpunës i shërbimit të politikës së jashtme. Është konfiskuar kjo pasuri: Kartmonedha shqiptare në apoena prej 5 dhe 10 lekësh, si dhe apoena prej 5, 20, 100 frangash shqiptare, me vlerë të përgjithshme 120.513.902 franga shqiptare; monedha të farkëtuara të arit të paketuar në 23 thasë të vegjël, me vlerë 435.070 franga shqiptare.

Ka 49 shufra të paketuara të arit dhe 29 shufra të paketuara në sënduqe që sipas vlerësimeve italiane kanë vlerë 7.627.765,90 franga shqiptare. Sasia e pakove në kartmonedha si dhe e thasëve të vegjël në sënduqe me shufra të arit, nuk qe e mundur të numërohet në mungesë të kohës.

Është fjala përafërsisht për 3 tonë ar dhe për 12 ton kartmonedha. Nëse ka mundësi ai do të transportohet nesër më 17 shtator udhës ajrore për në Berlin, me një apo dy aeroplanë specialë, ku do të jetë në përcjellje një oficer, të cilit i është dhënë urdhër që arin ta bartë me mbrojtje ushtarake në Minisrinë e Punëve të Jashtme dhe t’i drejtohet sekretarit shtetëror ose zëvendësit të tij në lidhje me vendin se ku duhet ta dorëzojë atë.

Një pjesë e kartmonedhave do të bartet në Tiranë me aeroplanin e përmendur në fillim dhe atje do të deponohet në konsullatën e Përgjithshmë në dispozicion të Nojbarherit……Në bazë të asaj që thotë Drejtoria e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, shteti shqipar në Romë nuk ka asnjë makinë speciale për shtypjen e kartmonedhave, por ka vetëm klishetë me ndihmën e të cilave janë shtypur kartmonedhat shqiptare në makinën e shtetit italian.

Për këtë shkak, sidomos pas lajmit se Musolini mori qeverinë, është e vështirë të konfirmohen makinat për shtypjen e kartmonedhave. Është dhënë premtimi se klishetë do të dërgohen. Ato do të barten nesër nga Akvila, vend rreth 100 km në verilindje të Romës, në ambasadë….Organet italiane kanë deklaruar se kartmonedhat shqiptare do të mund të shtypeshin edhe më tej pa probleme në shtypshkronjën shtetërore italiane.

Nesër do të fillojnë hulumtimet rreth rezervave devizore të Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Domosdoshmëria e këtij aksioni është arsyetuar nga organet zyrtare italiane me atë se qeveria e Rajhut, për interes të zhvillimit të mëtejshëm të luftës, është e detyruar që rezervat monetare, që janë të ruajtura në Itali, t’i sigurojë për të mos rënë eventualisht në dorë të armikut….”.

Sikurse shihet këtu nuk kishim të bënim aspak me grabitje apo rrëmbim, por me një lëvizje të nxitur nga zhvillimet e përgjithshme botërore. Cilësimi i gjermanëve si “grabitqarë” të arit është theksuar më të madhe edhe në librin e Enver Hoxhës “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”(Tiranë 1979) dhe në botime të tjera të kohës së komunizmit, që ndikoheshin si zakonisht nga ish udhëheqësi komunist.

Në të vërtetë ka pasur një marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, marrëveshje e cila gjendet në librin e dr.Hakif Bajramit “Dokumente të institucioneve gjermane për historinë shqiptare 1941-1944″, botuar në Prishtinë në vitin 1998 dhe që përmban dokumenta gjemane të nxjerra nga autori i librit në arkivat gjermane.

Në dy dokumentat e nxjerrë nga ky libër duket qartë se nuk është ndryshuar aspak pronësia e shtetit shqiptar mbi arin. Pra ari nuk është grabitur nga gjermanët por vetëm është marrë në mbrojtje nga rrethanat e vështira të luftës kundrejt një garancie të plotë. Për më tepër lexoni marrëveshjen e nënshkruar në fillim të prillit 1944 midis zv/ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë Vehbi Frashëri dhe përfaqësuesit gjerman Viehl.

Ja marrëveshja gjermano-shqiptaro e 6 prillit 1944 për arin shqiptar

Berlin 6 prill 1944

Shtojca 1

Qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Gjermanisë u morën vesh sa vijon:

1-Ari që i është dorëzuar pushtetit gjerman nga Këshilli Drejtues i Bankës Kombëtare Shqiptare në Romë, e që në aktualisht ndodhet në një depozitim të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Rajhsbank-un gjerman në Berlin, nga ana e qeverisë gjermane do t`i dorëzohet qeverisë shqiptare.

Proces-verbali për regjistrimin e gjendjes së arit , i hartuar sot nga përfaqësuesit e Rajhsbank-ut gjerman dhe të Bankës Kombëtare Shqiptare është bashkangjitur si shtojcë. Me kërkesë të qeverisë shqiptare, sasia e inventarizuar e arit sipas këtij proces-verbali, është deponuar në depozitim të mbyllur në Rajhsbank-un gjerman në emër të Drejtorisë të Bankës Kombëtare Shqiptare në Tiranë.

Marrëveshja teknike për ruajtjen e depozitimit do të hartohet ndërmjet Rajhbank-ut gjerman dhe drejtorisë Qendrore të Bankës Kombëtare në Tiranë.

2-Këtë sasi ari do të mund ta ketë në dispozicion vetëm Drejtoria Qendrore e Bankës Kombëtare në Tiranë përmes pajtimit me shkrim të qeverisë kombëtare të shtetit shqiptar. Qeveria kombëtare e shtetit shqiptar, para se t’ia japë Drejtorisë Qendrore të Bankës Kombëtare Shqiptare të drejtën për një disponim të tillë me arin, do të arrijë një marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Berlin.

3-Për aq kohë që sasia e arit do të ndodhet në Rajhsbank, qeveria gjermane merr me vete garantimin e plotë për çdo lloj rreziku, i cili do të mund të lindë për shkak të ndonjë veprimi armiqësor, duke rënë dakort se në rast të asgjesimit të arit shqiptar, Rajhu gjerman obligohet që këtë sasi ari ta kompesojë në të njejtën sasi dhe në të njejtën përbërje. Kufizimet e përgjithshme gjermane në lëmin e disponimit me arin, e veçanërisht në lëmin e eksportit, nuk kanë të bëjnë me këtë sasi ari, as tani e as në të ardhmen.

Nënshkruar në dy tekste origjinalë nga Vehbi Frashëri për qeverinë shqiptare dhe nga V.Viehl për qeverinë gjermane”.

Ari i bllokuar në Londër për shumë vite, përbëhej nga 198 kallëpe ari, 7 copë thupra, 2 copa ari dhe 22 qese monedha ari. Të gjitha sasitë ishin në flori aliazh dhe flori safi. E gjithë sasia u bart në 55 arka të fashuara me çelik.

Po ashtu duhet theksuar se në 10 muajt e parë të vitit 1944, nga ana e gjermanëve ju shitën Bankës Kombëtare Shqiptare 272.555 copë napolona që përbënin 1.758 kg ar. Nga kjo sasi ju shit popullatës 254.463 copë napolona që përbënin 1.641 kg ar.

-ENVER HOXHA DHE HISTORIA E TIJ PERSONALE ME FLORIRIN E SHTABIT

Njeriu që do të drejtonte Shqipërinë në mënyrën më shkatërrimtare për mëse 40 vjet Enver Hoxha, qysh gjatë kohës së luftës dha shembullin vetjak kur vodhi floririn e shtabit të përgjithshëm të “ushtrisë”. Natyrisht më gjatë për këtë temë kemi shkruar në gusht 2000. Ajo çka duam të kujtojmë sot është fakti se vitin 1943 në Labinot,

Enver Hoxha mori nga Fetah Ekmeçiu 4 qese lëkure me florinj dhe i groposi bashkë me Sami Bahollin. Në atë kohë Fetah Ekmeçiu ishte ingarkuari i shtabit me çështjet e financës. Pak kohë mbas ngjarjes së sipërpërmendur Fetah Ekmeçiu u zhduk në mënyrë të mistershme dhe trupi nuk ju gjet kurrë. Në librat e ndryshëm të historiografisë komuniste apo në kujtime të bashkohësve nuk thuhej kurrë e njejta gjë rreth fundit të jetës së Fetah Ekmeçiut.

Herë thuhej që ra në greminë, herë thuhej që ra në përpjekje me gjermanët, etj. Askush nuk e thotë pse ishte gjendur i vetëm njeriu më i rëndësishëm i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë. Ishte e qartë që Enver Hoxha e kishte kërkuar vjedhjen e brendshme të floririt për të pasur një lloj sigurie pas lufte nëse nuk do gjendesh atje ku mendonte.

Floriri i groposuar më 1943 do të nxirrej nga Sami Baholli në vitin 1959 me porosi të Enver Hoxhës. Kuptohej që Hoxha nuk kishte pse nxitohej në vitet e para pas lufte me këtë flori që për të tashmë ishte kthyer në simbolik. Ai vetëm sa dha një shembull të parakohshëm në vitet e luftës se çdo të bëhej me floririn e madh pa lufte.

-JA CILA KA QENË “PASURIA” E ISH-MINISTRAVE TË FINANCAVE, SOKRAT DODBIBA DHE ET’HEM CARA

Në periudhën 5 nëntor 1943 – 17 qershor 1944, ministër i Financave në Shqipëri ka qenë Sokrat Dodbiba. Pikërisht në mandatin e tij u bë edhe marrëveshja për arin me palën gjermane. Ky ministër pas lufte u dënua nga “gjyqi special” me burgim të rëndë dhe vdiq më pas në burgun e Burrelit. Rreth një vit më parë tradhëgimtarët e tij trashëguan llogarinë tij bankare të hapur qysh në kohën e kuftës në Gjermani. E gjithë llogaria e ish ministrit bashkë me interesat 50 vjeçare ishte diçka më pak se 2 mijë dollarë.

Në periudhën 6 shtator – 25 tetor 1944, (para se ta merrnin pushtetin bandat komuniste) ministër i fundit i Financave të Shqipërisë ka qenë Et’hem Cara. Sipas “Gazetës Zyrtare”, datë 23 mars 1946, në Bankën e Shtetit, Et’hem Cara kishte një llogari prej 155 frangave ar, e cila i ishte sekuestruar nga komunistët.

Llogarisni të nderuar lexues se sa e lartë ka qenë ndershmëria e këtyre njerëzve të respektuar në kohën më të vështirë që kalonte vendi. Megjithëse kishin çdo mundësi për t’u pasuruar ata zbatuan me përmikmëri ligjet e shtetit të tyre.

-REGJIMI KOMUNIST GJEN NE BANKEN E SHTETIT 90 KG AR. NJE SASI SHUME HERE ME E MADHE GJENDEJ NE DUART E POPULLATES

Pas ardhjes më dhunë në pushtet përmes luftës civile, si pasojë e lëvizjeve të sipërpërmendura, forcat komuniste gjetën në Bankën Kombëtare Shqiptare sasinë e 90 kg ar. Kjo provohet nga proces-verbali i nënshkruar nga zotërinjtë Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) dhe Abdyl Këllezi.

Ndonëse në Thesarin e Shtetit ndodheshin vetëm 90 kg ar, në duar të popullatës shqiptare ndodheshin rreth 320.000 kg ar (ose 320 ton ar). Një pasuri e tillë e pakrahasueshme, natyrisht që do të mund të rimëkëmbtë edhe shtetin më të shkatërruar e jo më Shqipërinë.

Mjaftonte të vazhdonte procesi i nisur nga Mbreti Zog dhe sistemi finaciar shqiptar do të bëhej mjaft i fuqishëm. Pikërisht këtu tragjedia do të përhapej në një plan tjetër.

-“LIGJI” NR. 37 PER “TATIMIN E JASHTZAKONSHEM TE FITIMEVE TE LUFTES”

Pas marrjes me dhunë të pushtetit, komunistët u kujdesën që të justifikonin veprimet e tyre të karakterit ordiner dhe terrorist me anë të një pudre ligjore që përcaktohej nga një organ thellësisht i paligjshëm dhe ordiner si Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar (KANÇ), organ ky që ishte vënë në rolin e një presidence të vetëshpallur në kongresin komunist të Përmetit, nën shembullin jugosllav të Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it.

Për të justifikuar grabitjen dhe vjedhjen (që realisht kishte filluar muaj më parë), KANÇ-i nxori “ligjin” nr 37 për tatimin e jashtëzakonshëm për fitimet e luftës. Ky “ligj” përbëhej nga 19 nene. Në nenin 1 të tij thuhej se “fitimet e mëdha të realizuara nga shtetasit e të huajit në Shqipëri” në aktivitete “tregëtare, industriale dhe ndërmjetëse” nga 7 prilli 1939 e deri më 31 dhjetor 1944, i nënshtroheshin “një tatimi të jashtëzakonshëm sipas dispozitave të këtij ligji”.

Tatimet kishin përqindje që filloni nga 15, 20, 30, 45, 60, 70, dhe 80 %. Në nenin 3 të këtij “ligji” përcaktohej masa e tatimit për shumën 500 – 100 mijë frangave ari, e cila tatohej me 10%, e duke u ngritur deri në 80% për shumat 2 – 4 milion frangave ari. Sigurisht kjo ishte ana teknike e problemit pasi grabitja që kishte nisuar të zbatohej nuk kishte nevojë aq shumë për përcaktime të tilla “ligjore”.

Në nenin 4 të “ligjit”, detyroheshin të gjithë personat objekt tatimi që brenda 10 ditëve të deklaronin me shkrim fitimin e tyre në kohën e lartpërmendur, deklarim i cili dërgohej në zyrën e tatimit.

Komisioni Tatimor formohej pranë çdo Këshilli NÇ të prefekturës ose të n/prefekturës, i përbërë nga:

-3 anëtarë të Këshillit NÇl të prefekturës ose n/prefekturës.-një delegat i ushtrisë i caktuar nga autoriteti i lartë ushtatrak. -një anëtar i Bashkimit të Rinisë Antifashiste

-3 tregëtarë nga kategoritë e ndryshme të caktuar nga Komiteti Ekzekutiv i KNÇl-së së lokalitetit. -një teknik për konstruksione. -një delegat i sindikatave të punëtorëve-një ose dy persona njohës të tregut.

Duke qenë se këto “komisione” përbëheshin nga 11 – 12 veta masa e zullumit të tyre ishte më e lartë nga ç’mund të mendohej.

Në nenin 9-të të “ligjit” në fjalë i lihej në dorë “komisionit” të caktonte sa të donte të ashtuqujturin tatim që s’ishte gjë tjetër veçse një vjedhje ordinere e kryer nga një regjim i instaluar banditësh dhe kusarësh. Kur nuk arihej dot nxjerrja e “tatimit”, “ligji” parashikonte edhe sekuestrimin e çdo pasurie të personit që tatohej.

-PER TE MBESHTETUR “TATIMIN E JASHTZAKONSHEM” DOLI EDHE “LIGJI” “PER KONFISKIMIN E PASURIVE PRIVATE ”

Një ditë më vonë nga miratimi i “ligjit” të sipërpërmendur, doli “ligji për konfiskimin e pasurive private”, i cili do të mbështeste të gjitha boshllëqet që mund të lindnin nga zbatimi i “ligjit” për “tatimin e jashtëzakonshëm”.

Në bazë të këtij “ligji”, komitetet ekzekutive fitonin të drejtën që me anë të një vendimi të bënin sekuestrimin e çfarëdolloj pasurie. Në këtë mënyrë shumë pasuri të tundshme apo të patunshme si objekte, toka bujqësore, troje, gjë e gjallë, mall bujqësor apo industrial etj, u sekuestruan për të zbatuar “ligjin” që hartonin banditët e veshur vetë me pushtet. Përfytyroni për një çast Shqipërinë e 1997 dhe kohën kur tipat e Zan Çaushit gjobisnin tregëtarët apo njerëzit e dyshuar me bindje të djathta.

Në qoftë se do të zgjasnim kujtesën, të njejtën gjë bënë edhe ata që vinin “gjoba” në formën e “tatimit të jashtëzakonshëm” në vitet e para të vendosjes së regjimin komunist në Shqipëri. Në vitin 1997 Zan Çaushi thjesht sa kopjoi një model të gatshëm banditësh.

-BASHKIMI DOGANOR ME JUGOSLLAVINE DHE ZHVLEFTESIMI I LEKUT

Më 27 nëntor 1946 u nënshkrua në Beograd traktati “Mbi koordinimin e planeve ekonomike, bashkimin doganor dhe barazimin e monedhave në mes Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë”.

Ky traktat u nënshkrua nga presidenti i Këshillit Ekonomik, president i Këshillit të Planit dhe ministër i Ekonomisë Nako Spiru dhe presidenti i Këshillit Ekonomik dhe ministër i Industrisë Boris Kidriç dhe u ratifikua nga Kuvendi Popullor më 2 dhjetor 1946. Është për t’u kujtuar se nënshkrimi i këtij traktati në një datë të tillë, ishte një sfidë ndaj traktatit të 20 vjetëve më parë midis Shqipërisë dhe Italisë që njihet si Pakti i Parë i Tiranës.

Në artikullin 2 të traktatit të sipërpërmendur, vendosej që brenda tre muajsh nga dita e nënshkrimit të traktatit, dinari të barazohej me lekun.

Përveç shumë të këqijave që solli ky traktat nëpërmjet dëmeve të drejpërdrejta që ju shkaktuan ekonomisë shqiptare, u krijua edhe një rrugë tjetër për kalimin pa bujë të një rezerve të caktuar ari në Jugosllavi, masë e cila është e vështirë të llogaritet. Për të kaluar kufirin, sipas traktatit të sipërpërmendur nuk kishte asnjë pengesë ligjore, pasi realisht nuk ekzistonin kufijtë midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Nga ana tjetër barazimi i lekut me dinarin në fakt ishte zhvleftësim për lekun dhe vlerësim për dinarin e dobët.

–KU SHKOI SASIA E 43.816.682 MONEDHAVE ARI TE GRUMBULLUARA NGA SIGURIMI I SHTETIT

Ka hapur një polemikë jo të vogël në vitet e tranzicionit një artikull i botuar vite më parë në revistën “Në shërbim të popullit” (organ i dikurshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme), nga Nuri Mehmeti me titull “Kur hidheshin themelet ekonomike të pushtetit popullor”. Ky shkrim është botuar në faqet 14 – 15 të numrit të gushtit 1984 në revistën në fjalë me okelion “40 vjet çlirim, rrugë lufte e fitoresh”.

Polemikat e mëvonshme në lidhje me këtë artikull lindën pasi shifra prej 43.816.682 monedhash ari që përmendej në artikull, e grabitur nga Sigurimi i Shtetit ishte një shifër zyrtare. Ndër të tjera autori Nuri Mehmeti në shkrimin e tij thotë:

“….Pushteti i ri i vendosur menjëherë pas çlirimit të atdheut, që nisi të kryente funksionet e tij si diktaturë e proletariatit, kërkonte patjetër edhe bazën ekonomike……..Në janar të vitit 1945 doli ligji i mbi konfiskimin e pasurisë së shtetasve italianë e gjermanë.

Gjithashtu në janar doli ligji i tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës. Ky ligj godiste veçanërisht atë pjesë të borgjezisë që kishte grumbulluar pasuri të mëdha…….Në shumë raste elementët e tatuar nuk pranonin të paguanin shumën e caktur, me preteksin se nuk e kishin atë….disa u përpoqën të nxirrnin ar e sende të tjera jashtë shtetit……

Veprime edhe më të vështira iu deshën të bënin organeve të punëve të brendshme, veçanërisht atyre të policisë për të zbuluar arin që kishin fshehur kapitalistët e tregëtarët. Përvoja ishte e paktë, por ndihma e popullit qe e madhe.

Ndihmuan puntorët e specialistët që kishin marrë pjesë në ndërtimin e depove të kasafortave dhe që kishin bërë fshehjen në vende të panjohura, ndihmuan ata që kishin shërbyer si shegertë e argatë pranë kapitalistëve të kaluar etj.

Kështu u arrit të zbulohen depo të nëndheshme në parcelat e oborret e kapitalistëve, bejlerëve e tregëtarëve. U gjetën qypa me flori jo vetëm në betonime të thella të nëndheshme e në muret e shtëpive, por edhe nën rrënjët e pemëve e nën sipërfaqet e puseve me ujë të pijshëm si në Durrës, Tiranë, etj.

Në Elbasan u zbulua një sasi e madhe mallrash të tregtarit H.B. në një depo të nëndheshme, përsipër së cilës ishin mbjellë presh e perime të ndryshme.

Zbulime të tilla u bënë edhe në Shkodër, Durrës, Korçë. Deri në fund të vitit 1948 u zbuluan 43.816.682 monedha ari, pa përmendur shufrat e stolitë e florinjta. Organet e punëve të brendshme ndoqën gjithë zhvillimet e ngjarjeve duke bërë një luftë këmbëngulëse kundër elementëve spekulativë e matrapaz녅.”.

Por ndërsa nga komunistët pranohet një shifër e tillë sekuestrimesh, të dhënat e tjera zyrtare janë krejt kontradiktore. Kështu sipas një shkrese sekret të nënshkruar nga drejtori i Thesarit, Fahri Hoxha më 16 janar 1992, merret vesh se sasia e arit të hyrë në Thesar nga sekuestrimet në periudhën 1 dhjetor 1944 – 31 dhjetor 1990 është vetëm 3.029 kg.

Ndërsa në periudhën 1 dhjetor 1944 deri në 31 dhjetor 1990 në Thesarin e Shtetit kanë hyrë gjithsej 8.749 kg ar dhe kanë dalë 7.600 kg ar. Mirëpo shifra e 43.816.682 copë monedhave nuk është baraz me 3.029 kg ar, por me minimumi 320 ton ar. Atëherë vetiu lind një pyetje që do përgjigje: ku shkoi gjithë kjo sasi ari? Kush e mori? Pse ka diferenca të mëdha midis shumave.

-TREGTARET E GRABITUR TE KORÇES

Një ndër autorët e parë që u mor në fillesat e pluralizmit politik në Shqipëri me çështjen e thesarit të grabitur në shtypin shqiptar me disa shkrime në gazetën “Rilindja Demokratike” ishte i ndjeri Teodor Keko. Në shkrimin “Arkivat rreth enigmës së floririt”, datë 15 qershor 1991, Keko është bazuar në të dhënat e arkivit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Korçës. Sipas dosjes nr 34 të seksionit të Financës, në bazë të relacionit të datës 15 maj 1945, mësohet se tregëtarëve korçarë iu ishte caktuar një “tatim” (lexo grabitje) prej 86.685.968 frangash ari, nga cila deri në këtë periudhë ishte vjelë rreth gjysma e saj.

Sipas historikut lokal të policisë së Korçës mësohet se vetëm në këtë qytet ishin grabitur 400 kg ar dhe 48 mijë napolona flori pa përmendur stolitë e tjera të vjedhura nga banditët. Për të ilustruar “masakrën e verdhë”, Teodor Keko paraqet edhe një listë të 32 familjeve korçare të cilave ju grabitën përveç dyqaneve dhe shtëpive edhe një sasi e konsiderueshme florinjsh.

Ndër emrat më kryesorë këtu mund të përmendim familjet Qirjako, Abeshi, Cingu, Plasati, Katro, Gjezi, Samara, Qirinxhi, Çekani, Pepo, Lako, Turtulli, Jani, Stase, Mborja, Bino, Terova, Mulla, Nora, Pilika, Ballauri, Peço, Serani, Katundi, Zahara, Pllaha, Bicolli, Thomo, Barçe etj. Ndër të grabiturit kryesorë është Kristaq Cingo me 9.002.500 franga ari.

Po në numrin e sipërpërmendur të gazetës, dëshmitari Paskal Andoni, ish punonjës në degën e tretë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dëshmon së kur ishte dashur të hapej, kasaforta e Hysni Kapos kishte qenë e mbushur plot me flori.