Edi Rama, njeriu që luan me zjarrin dhe helmin

Nga Jeta Dedja

Historia ka treguar që plot protesta të nisura si paqësore janë përshkallëzuar në të dhunshme si pasojë e provokimeve të jashtme. Shpeshherë është policia e supozuar të respektojë liritë dhe të drejtat e njeriut ajo që nuk di ose nuk do të vlerësojë proporcionalitetin e masave të ndërmarra në një protestë. Kur ke ca armë në brez ke dhe nxitjen t’i përdorësh ato. Dikur do duhet të përdoren ato vegla që rëndojnë brezin. Kështu bënë policët me shkopat prej gome.

Ligji për policinë e shtetit ka nja dy nene (101,102) ku parashikohet lejimi i punonjësit të policisë të marrë masa ndaj një personi kur sjellja e tij cënon rëndë rendin dhe sigurinë, domethënë nëse personi paraqet një rrezik real tepër të madh për ata dhe publikun.

Unë u përpoqa ta shihja me syrin e një polici sjelljen e protestuesit S.D dhe në fakt nuk e vlerësova si rrezik publik. Ai nuk mbante asnjë armë në dorë, përveç frikës dhe pasigurisë përballë tufës së policëve të inatosur.

Ta dini që në fillim se nuk kam ndërmend të bëj avokatinë e asnjë pale pasi në gjykimin tim kjo klasë politike është e zhytur në baltë disa vjeçare shndërruar në qerpiç, dhe qerpiçi është modë e vjetër.

Rrahja barbarisht e një shtetasi protestues ndaj një qeverisjeje që u ka vënë lakun në fyt qytetarëve të saj duke i detyruar mijëra të rinj e profesionistë të braktisin atdheun, është prova e gjallë e një munges-demokracie.

E nderuar Polici e Shtetit! Nëse ka një rrezik real e të madh për Shqipërinë ai është kryeministri i saj, i cili njëlloj si kreu i shtetit në vitin qoftëlarg ’97-të është i gatshëm të kundrojë me qesëndi flakët, të përligjë dhunën e të bëjë statuse në rrjete sociale duke luajtur rolin e shpëtimtarit, të të zgjedhurit të popullit, të njeriut të mirë apo hokatarit.

Edi Rama, ky njeri që luan me zjarrin dhe helmin, nuk shpreh pikën e dhimbjes a shqetësimit kur rrugëve humbin, përloten e helmohen fëmijë të moshës së djalit të tij.

Dorëheqja do të ishte rruga e duhur e këtij pseudosocialisti, i cili nuk do duhej të ishte asnjë ditë aty ku është. Është pikërisht ky njeri që ka shënuar rekordet e të zhgënjyerve e të mërgimit të të rinjve, që e ka çuar vendin tatëpjetë, por ama borxhin publik e ka ngritur përpjetë.

Si përfaqësues tipik i politikës së vjetër, i personit që shënon më shumë se kushdo vite në pushtet që pas Enver Hoxhës, ky është njeriu që duhet të ikë sa më parë, të mbyllet pse jo në bunkerin e tij dhe jo qytetarët të marrin rrugët nëpër botë në kërkim të shpresës.

Kryeministri Edi Rama është po aq i vjetër në stil dhe mentalitet sa dhe historia e potureve të labërisë a çitjaneve të Librazhdit që ai duket se preferon. I perceptuar si një person i padëshiruar nga një shumicë e lavdërueshme (këtu kam parasysh të gjithë ata që dalin e protestojnë, ata që ikin e marrin rrugët, ata që duan Kosovën, por dhe ata që luten e falen në shtëpi a në zyra për një jetë më të mirë) kryeministri Rama është kthyer tashmë në Shushunjën e Shpresës Shqiptare.

Përveç rritjes së përfitimeve personale dhe dorovitjes së tarafit të tij, ky njeri nuk ka mësuar asgjë mbi realitetin e popullit të tij, mbi përmbushjen e nevojave, identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve, mbi të punuarin në funksion të publikut. Jo sepse nuk ka patur raste, por sepse qënies së tij i mungon empatia, domethënë ai nuk ka kapacitet për të kuptuar ndjenjat dhe përvojat e të tjerëve. Gjithçka në kurriz të publikut e ka bërë për veten e tij. ‘Hyri shul e doli lloz’-thotë populli, kështu edhe Rama gjatë historisë së tij të gjatë në pushtet, sa i përket të nxënit funksional mbi qeverisjen.

Nga ana tjetër, shembja e së vjetrës me frymë të vjetër është pesë me hiç. Së jashtmi duket sikur të dyja partitë kryesore i janë nënshtruar spastrimit prej liderëve të tyre, por në fakt prania e pasardhësve të ish-funksionarëve a ushtarëve të diktaturës apo dhe vetë ish-funksionarëve bash në krye të të dyjave tregon se e vjetra është me rrënjë aty, pavarësisht rrobave të reja që veshin.

Opozita e varfër dhe e dobët shqiptare, njëlloj e vjetër sa dhe vetë Rama, për momentin ka një avantazh të madh por që fatkeqësisht nuk ka kapacitet ta shfrytëzojë atë.

Vitaliteti i popullit të revoltuar është çelësi i suksesit për të shembur të vjetrën, por shqiptarët e mençur duan alternativa të reja për të cilat t’ia vlejë dhe flaka dhe zjarri.

Kjo opozitë duhet ta mësojë mirë sot e përgjithmonë se prej listave të kryetarëve mbushur me Rudina apo Kujtimër, përfitues është veç Rama dhe shpura e tij.

Lexo edhe: