Efendilerët e Kuvendit/ 10 ditë para nisjes së pushimeve; tender emergjent 155 000 Euro, për riparimin e makinave

Janë lodhur nga punët e shumta për mirëqenien e popullit dhe ligjet e vendimet kundër korrupsionit; më 31 korrik, makinat duhet të jenë gati

Për nevojat emergjente të shtresave në nevojë, shefat e pushtetit nuk japin asnjë qindarkë; duke sajuar procedura zvarritëse me vite; ndërsa për luksin dhe sigurinë e tyre personale; harxhojnë miliona lekë taksa publike me “tendera emergjence”.

Më 8 korrik 2020, Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë; ka shpallur 4 tendera, për riparim makinash të titullarëve, departamenteve e shefave të komisioneve parlamentare; të cilët do bëhen në të njëjtën ditë e orë.

Sipas dokumentit zyrtar, Kuvendi ka akorduar 15 milionë, 945 mijë e 830 lekë të reja pa TVSH; ose 155 mijë Euro me TVSH, për riparimin e makinave të drejtuesve.

Procedurat e 4 tenderëve, do të bëhen në datën 20 korrik 2020, ose 11 ditë para se efendilerët e Kuvendit, të nisen me pushime verore; siç duket, për të garantuar rehatinë dhe kokën, gjatë udhëtimit e piknikëve, që do bëjnë deri në shtator.

Ja 4 tenderët dhe vlerat e tyre:

– Riparim-mirëmbajtje e autoveturave të Titullarëve të Kuvendit (Mercedes Benz); me fond 3 milionë, 230 mijë e 530 Lekë të reja pa TVSH.

– Riparim-mirëmbajtje e autoveturave të markave “W”, “Chevrolet” dhe “Toyota”; me fond 743 mijë e 970 Lekë të reja pa TVSH.

– Riparim-mirëmbajtje e autoveturave të markave “Hyundai”; me fond 3 milionë, 998 mijë e 440 Lekë të reja pa TVSH.

– Riparim-mirëmbajtje e autoveturave të markave “Mercedes Benz”, “W”, “Hyundai”, “Chevrolet” dhe “Toyota”; me fond 7 milionë, 972 mijë e 940 Lekë të reja pa TVSH.

Kujtojmë, se në muajin nëntor 2019, kuvendi ka bërë një tender të tillë, me vlerë 28 milionë lekë të reja pa TVSH; për riparim-mirëmbajtje automjetesh gjatë gjithë vitit 2020.

Ndërsa ky shpenzim taksash, me vlerë blerje sa 13 makina të reja, ose sa 9 banesa sociale; po bëhet jashtë planifikimit si “shërbime emergjente”./Pamfleti