EKSKLUZIVE: Gati largimi i dytë, mbrojtësi i Vllaznisë drejt Laçit

Largimet e lojtarëve nga ekipi i Vllaznisë do të jenë të shumta në këtë sezon të verës. Një pjesë e lojtarëve do të largohen për shkak se klubi nuk i përfshin më planet e tyre për të ardhmen, ndërsa një pjesë tjetër sepse kërkojnë një aventurë tjetër larg Vllaznisë. Por, largimet mesa duket prekin edhe lojtarët e rinj të Vllaznisë.

Siç u bë e ditur edhe më herët, Arlind Kalaja është drejt zyrtarizimit te ekipi i Kukësit. Por, Shkodra.News mëson se një tjetër futbollist shkodran do të transferohet tek një tjetër ekip verior. Bëhet fjalë për mbrojtësin e djathtë Erdenis Gurishta.

Sipas burimeve, ai ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e ekipit të Laçit. Gurishta pret vetëm tërheqjen e letrave nga klubi Vllaznia, që do të ndodhë sapo të zgjidhet administratori i ri i Vllaznisë. Kësisoj, mbrojtësi shkodran do të ketë mundësi të luajë edhe në Kupat e Europës me kurbinasit, ndërkohë do të gjejë edhe lojtarë të tjerë shkodranë si Shtubina, Fangaj dhe Nika. /ShkodraNews