Ekzekutoi Jurgen Kurtin për 30 mijë euro, zbulohet identiteti i autorit (emri)

Klodian Bane dyshohet të jetë personi që ka ekzekutuar Jurgen Kurtin. Ndërkohë, dje policia ka vënë në pranga Elsi Levendi, Olsi Qalliaj dhe Alesio Berberi, të tre banues në qytetin e Fierit.

Ende nuk ka një motiv të deklaruar nga ana e Policisë për ngjarjen e ndodhur, por dyshohet se të rinjtë janë paguar 30 mijë euro.

Hetimet që çuan në arrestimin e të rinjve:

Mësohet se grupi hetimor ra në gjurmët e tyre përmes përgjimeve telefonike të kryera. Në bisedat mes tyre është përmendur shuma 30 mijë euro, që dyshohet se ata kanë marrë për të kryer vrasjen. Asnjë prej 3 të arrestuarve nuk ka folur për porositësin e vrasjes së Kurtit, pavarësisht se e kanë pranuar akuzën.

Mësohet se kamerat e sigurisë që kanë qenë rreth zonën  ku u vra Jurgen Kurti kanë fiksuar që katër personat janë takuar pas atentatit, ndërkohë që ai që e ka ndjekur në këmbë viktimën ka qenë 21-vjeçari Elsi Levendi. Arma dhe makina që dyshohet se u përdorën në vrasje janë gjetur në banesën e të arrestuarit Alesio Berberi.

Vrasja e Jurgen Kurtit u krye në datën 18 Mars në rrugën “Zef Jubani” në kryeqytet, poshtë pallatit ku 26-vjeçari jetonte së bashku më të ëmën e tij. Kurti ishte një person i njohur për mediat dhe policinë, pasi ai kishte qenë i përfshirë më herët në vrasjen e të atit dhe të Agim Arapit në qytetin e Durrësit. Për të dyja këto ngjarje ai ishte shpallur i pafajshëm nga ana e Gjykatës.

Disa ditë pas vrasjes u shpall në kërkim dhe djali i Agim Arapit, po ai i mohoi akuzat që të kishte gisht në këtë ngjarje, duke sqaruar se nuk kishte ardhur në Shqipëri që prej muajit Janar të këtij viti.