Erdhi dita e zezë, Qeveria shqiptare po bëhet gati të ‘lajë hesapet’ me Becchettin

Qeveria shqiptare po shqyrton mundësinë që të lajë ‘hesapet’ duke paguar vlerën e 100 milionë eurove në gjyqin me Bechetin.

Sipas asaj që shkruan BIRN një dokument i titulluar “Raporti i mesvitit mbi zbatimin e buxhetit 2020” , i cili është publikuar së fundmi në faqen e internetit të Ministrisë së Financave, shënon se Shqipërisë i nevojiten 109.5 milionë euro për të paguar faturat e tetë çështjeve, vendimet e së cilave janë marrë në dëm të shtetit shqiptar ose janë në proces.

Nga të gjitha këto çështje, çështja “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë”, mbart faturën më të rëndë prej 99.5 milionë eurosh.

Gjyqet e arbitrazhit në përgjithësi zhvillohen në sekret të plotë dhe taksapaguesit rrallë herë marrin vesh se çfarë ka ndodhur. Të dhëna të përcipta mbi çështjen publikohen në faqen e gjykatës. Sipas këtyre të dhënave, vendimi i kompensimit për Becchettin është pranë ekzekutimit.

Gjyqi mes biznesmenit italian lidhet me vendimin e qeverisë aktuale për të konfiskuar asetet e tij në Shqipëri, përfshirë hidrocentralin në ndërtim të Kalivaçit dhe televizionin Agon Channel në kuadër të një hetimi për pastrim parash.