Estradë në Malësi të Madhe, punonjësi i bashkisë do të konkurojë me shefin e vet

Fati i zgjedhjeve të 30 qershorit është në pikëpyetje, ndërsa kriza politike është në kulmin e saj në Shqipëri. Në skadim të afatit të shpallur nga Komisioni qëndror i zgjedhjeve për tu regjistruar në këtë proçes, ishte forca me e re politike, Bindja Demokratike që regjistroi kandidatët e saj në garën për bashki dhe këshilla bashkiak.

Ra në sy mes emrave të propozuara edhe një kandidat për një nga bashkitë e qarkut Shkoder, siç është Malësia e Madhe. Astrit Patozi ja besoi këtë garë as më shumë dhe as më pak, por ish kryetarit të PD-së në këtë rreth Pjerin Spatharit, sot një punonjës i Tonin Marinaj në bashkinë e Malësisë së Madhe.

Qesharake dhe patetike kjo zgjedhje e Patozit, i cili qartazi me influencën edhe të deputetit të zonës Paulin Sterkaj, nuk kishte si të bënte zgjedhjen më të “mirë” sesa ti vendoste Tonin Marinajt një kandidat fiktiv për këtë bashki. Emri i përshtatshëm ishte Pjerin Spathari, ish kryetar i PD, që prej 4 vitesh nga Marinaj paguhet si drejtor i pyjeve në këtë bashki, post qe vijon ta mbajë. Se çfarë gare presupozon Patozi dhe “BD” në këtë mes, vetëm ata mund ta dijnë, pasi qytetarët qartazi me një lexim fare të thjeshtë e kuptojnë se vetëm një e tillë nuk është në mes, kur përballë është shefi dhe vartësi.

I rënë në kurthin e mazhorancës, Astrit Patozi me këtë lojë të hapur, po lë të kuptohet se nuk erdhi si një forcë politike opozitare me mazhorancën, por edhe kundra estabilishment, por për fat të keq si një vegël e strukturave të caktuara të po kësaj shumice, që do të legjitimojë një proçes pa pjesmarrjen e shumicës së forcave politike të opozitës.

Pjerin Spathari është një emer i njohur në Malësi të Madhe për paqëndrueshmërinë politike dhe lojën që bëri në zgjedhjet e shkuara vendore, ku pakënaqësinë me Bashën e shfaqi hapur, e madje nuk hezitoi që menjëherë pasi humbën zgjedhjet në këtë njesi, të rreshtohej krah përkrah kundërshtarit politik, duke u bërë më vonë punonjës i tij, në bashkinë e Malësisë. Tashmë me këtë garë qesharake loja bëhet edhe sipërfaqësore, ndërsa malësoreve u prezantohet një alternativë e ndarë në mes dhe asgjë më shumë./ShkodraNews