Euro çon në faliment biznesin fason në Shkodër. 15 mijë familje gati për t’iu drejtuar ndihmës ekonomike

Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve doli nga Shkodra me një paketë propozimesh drejtuar qeverisë, ndërsa ky sektor nga politikat dritëshkrutra që po aplikon qeveria Rama, po shkon drejt falimentimit, duke rrezuar nxjerrjen në rrugë të 66 mijë punonjësve që ka, e duke rënduar pozitat ekonomike të rreth 200 mijë shtetasve që mbahen nga këto paga.

Krizën më të madhe e ka shkaktuar rënia e euros, e cila me zbritjen që po pëson në mënyrë të pakontrolluar dhe e dalë jashtë kontrollit të qeverisë, jo vetëm këtë sektor, por rrezikon mbarë vendin ta zhysë në një krizë më të thellë financiare.

Këtë hendek të krijuar nga politika indiferente e qeverisë Rama, shumë prej drejtuesve të këtyre kompanive janë detyruar ta zëvëndesojnë duke rritur kërkesën për punë të punonjësve, e kjo natyrshëm ka sjellë në disa raste efekt zinxhir, daljen në protestë të tyre.

Shqetësuese për fasonët janë faktet se 1 brigadier sot mban 30 punonjës në mbikçryje nga 20 që kishte me parë. Nëse për një repart me 50 punonjës përdorej një kondicioner ngrohje, sot janë 60 – 70 punonjës në një të tillë, pra e përkthyer ndryshe, kriza po rrit edhe kushtet e vështira të punës. Nëse fabrikat organizonin 10 festa në vit për punonjësit  e tyre sot organizojnë vetëm 3 të tilla, e për të mos folur për pagesat shpërblyese që po dalin nga artikulimi.

Efekti zinxhir është më i madh dhe kriza pritet të thellohet për shkak se jo vetëm qeveria, por as banka e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë për të stabilizuar tregun valutor, e pikërisht euron. Eksportet janë në krizë dhe kyçja e këtyre fabrikave do të ishte goditja e madhe për ekonominë shqiptare, që 40% të të ardhurave i ka nga ky zë.

Mjafton të shohim vendet e zhvilluara por edhe ato më pak të zhvilluara se si i aplikojnë të tilla politika përmes bankës qendrore, e cila në cdo moment ndërhyn për të stabilizuar monedhën. Në Kanada raporti dollar – euro mbahet nën vëzhgim të vazhdueshëm për të mos patur tronditje të tregut dhe rëndim të pozitave të biznesit.

Piktori deshtak që sot drejton qeverinë nuk mund të marrë këto shembuj, pasi nuk shkon më shumë se hunda e vet dhe prandaj luftën e bën për interesa të ngushta personale të tijat dhe oligarkëve që e kanë mbërthyer.

Nëse kjo krizë do të zgjasë edhe disa muaj kolapsi në ekonomi mund të jetë më i madh dhe vendi rrezikon që të humbasë këtë sektor që i jep ekonomisë miliona lekë dhe në të njëjtën kohë mban 15 mijë familje vetëm në Shkodër, që nuk kanë burim tjetër të ardhurash e do t’i drejtohen ndihmës ekonomike./ShkodraNews