Fitorja me Tiranën, flasin presidenti Xhaferi dhe trajneri Plantak

Fitorja ndaj Tiranës i jep mundësi Vllaznisë që të shpresojë deri në javën e fundit të kampionatit për mbijetesën në Superiore. Pas takimit të sotëm, për mediat ka folur edhe presidenti i klubit Vllaznia, Alban Xhaferi.

“Ishte një fitore e rëndësishme ndaj Tiranës. Natyrisht që na ka gëzuar, por mendjen e kemi tek ndeshja e së mërkurës në Durrës, mes Teutës dhe Kamzës. Urojmë që të bëhet një lojë e pastër e natyrisht që të fitojë Teuta. Ky është një hap drejt qëndrimit në Superligë për këtë edicion, por kemi hapin e fundit dhe më të rëndësishëm, ndeshjen ndaj Partizanit në kryeqytet. Por, sic e thashë mendjen do e kemi edhe tek dy ndeshjet e fundit të Kamzës, që do luajë ndaj Teutës dhe Goga Basket.” – është shprehur Xhaferi.

Por, përvec presidentit Xhaferi pas fitores me Tiranën ka folur edhe trajneri i skuadrës shkodrane, Neven Plantak. Ai tha se ndeshja me Tiranën ka qenë shansi i fundit i Vllaznisë dhe skuadra dha maksimumin në këtë ndeshje.

“Ndeshja ndaj Tiranës ka qenë shansi ynë i fundit. U munduam të bënim maksimumin ndaj kësaj skuadre. Kemi luajtur mirë në tërësi në këtë sfidë, duke përjashtuar minutat e fundit. Përsa i përket mbijetesës, e kam thënë që do luajmë deri në fund shanset tona dhe do japim maksumimin edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit. Por, tani nuk varet vetëm nga ne. Duhen pritur rezultatet e takimeve të fundit të Kamzës, që luan ndaj Teutës dhe Goga Basket. Derisa të kemi shanse do luftojmë deri në fund.” – tha tekniku Plantak. /ShkodraNews