Flet Ilir Meta: Ja kam bërë të qartë Ramës që…

Presidenti Meta është në një vizitë në Kosovë.

Ai mbrëmjen e sotme ishte i ftuar në një emision televiziv.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini deklaroi se “dialogu Kosovë-Serbi është një përgjegjësi ekskluzive e udhëheqësve të Kosovës dhe e institucioneve të Kosovës”.

Meta tha se Shqipëria, duke e mbështetur këtë dialog do të pranojë dhe duhet të pranojë çdo zgjidhje për të cilën institucionet e Kosovës do të shprehen në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës.

“Çdo përfshirje e Shqipërisë apo institucioni të Shqipërisë në temat e dialogut Kosovë-Serbi, do të ishte një ndërhyrje e panevojshme, që mund të mos rezultonte ndihmuese për sa i takon, në radhë të parë demonstrimit të autoritetit dhe legjitimitetit të plotë të institucioneve të Kosovës. Dhe së dyti mund të krijonte keqkuptime të panevojshme”, – është shprehur ndër të tjera Presidenti Meta.

“Unë këtë qëndrim ia kam bërë të qartë edhe kryeministrit tonë, zotit Rama. Ua kam bërë të qartë edhe faktorëve të tjerë. Kam bërë edhe një qëndrim publik” – tha Meta duke shtuar se “Shqipëria ka për detyrë t’i kërkojë Kosovës një bashkëpunim, një koordinim, një unifikim për këto tema”.

Edhe Meta është i mendimit se nevojitet një koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të veçantë, por edhe me Gjermaninë, sepse sipas tij Berlini është një faktor kyç dhe do të jetë gjithmonë kyç për sa i takon së ardhmes europiane të rajonit tonë, pa përjashtuar Britaninë e Madhe që ka pasur dhe ka një rol të rëndësishëm për rajon.