Flet pas arrestimit djali i ish-kryeministrit shqiptar, ja “konflikti” mes tij e policisë



Djali i ish-kryeministrit të Shqipërisë, Aleksandër Meksi, Redoni, është shoqëruar nga policia në Komisariat për mosmbajtjen e maskës.



Kjo ka ndodhur para disa ditësh.



Ditën e sotme ai ishte i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku gjatë lidhjes së drejtpërdrejtë u shpreh se “akti normativ i mbajtjes së maskës është i paligjshëm, absurd dhe i palogjikshëm”.

“Unë kujdesem për të gjithë dhe mbaj distancë me njerëzit. Edhe prindërit e mi nuk i kam takuar që në mars kur u përhap pandemia në Shqipëri. Unë gjatë gjithë kësaj kohe kam mbajtur distancë nga njerëzit, jo se kam frikë, por duke u kujdesur për të tjerët”, tha Meksi.

Ndërkohë duke folur për shoqërimin e tij në komisariat, Redoni tregoi se ai kishte dalë pa maskë të enjten që hyri në fuqi ligji dhe se e kishin ndaluar disa policë.

“Policët më thanë që të vendosja maskën, sepse ishte dita e parë dhe që këshillonin. Por meqenëse unë refuzova që të vendosja maskën, ata më vendosën gjobë. Ishte 3 mijë lek të reja. Më pas u bëra pjesë edhe e protestës kundër vendosjes së maskës, por që qëndrova larg grumbullimit”, tha ai.

Djali i ish-kryeministri tregoi se si kishte shkuar policia dhe kishte larguar njerëzit që kishin dalë të protestonin. Sipas tij aty ishin edhe policë civilë, gjë që nuk lejohet në raste të tilla.

“Mua mu afruan 3 policë civilë, të cilët nuk lejohen që të jenë aty. Më kërkuan që të largohesha, e nisa të largohesha. Gjatë rrugës disa policë më thoshin ec shpejt, por unë ecja avash. Më pas më del një polic që del duke bërtitur, dhe unë i them pse duhet të shpejtoj? Atij nuk i pëlqeu mënyra se si i fola, e më pas më shoqëruan në komisariat. Isha edhe në makinën e policisë pa maskë. Kur arrita në komisariat ishin rreth 12-15 persona, të cilët i shpërndanë në komisariate të ndryshme. Shoqërimi u bë për “pjesëmarrje në tubim të jashtëligjshëm”, vijoi Redoni.