FOTO/ Arrestohen dy biznesmenë, lidhje me avokatin e Presidentit, ja çfarë bënin

Dy bashkëpunëtorë të avokatit personal të Presidentit Donald Trump, Rudy Giuliani, ndaj të cilëve rëndojnë akuza federale, janë arrestuar për kontribute të paligjshme për fushatat republikane në vlerën e qindra mijëra dollarëve.

Bashkë me ta u arrestua edhe përfaqësues i një komiteti për veprim politik pro Trump.

Lev Parnas, i lindur në Ukrainë dhe Igor Fruman me origjinë nga Bjellorusia, të dy shtetas amerikanë, u arrestuan të mërkurën vonë në mbrëmje në Virginia, në aeroportin e ndërkombëtar Dulles-it ndërsa po përpiqeshin të largoheshin. Sipas një zyrtari të zbatimit të ligjit ata pritet të dalin përpara një gjykate në Alexandria të Virxhinias, pasditen e së enjtes.

Akuzat ndaj Parnas dhe Fruman-it rrjedhin nga një ankesë e paraqitur vitin e kaluar nga një institucion mbikëqyrës i pavarur tek Komisioni Federal i Zgjedhjeve që pretendonte se ata kishin krijuar një kompani fiktive për të kaluar në mënyrë të fshehtë para të huaja tek komiteti për veprim politik pro-Trump, i quajtur “America First Action”.

Aktakuza prej 22 faqesh konfirmon gjetjet e mbikëqyrësit të pavarur, Qendrës Ligjore për Fushata. Sipas aktakuzës, Parnas dhe Fruman e kishin përdorur kompaninë Global Energy Producer (GEP), një gjoja biznes i gazit të lëngshëm natyror, për t’i dërguar 235,000 dollarë komitetit për veprim politik dhe 15 mijë dollarë një komiteti të dytë politik. Parnas kishte dhënë 50 mijë dollarë për përpjekje për zgjedhjen e zotit Trump në 2016-n.
John Dowd, avokati i dy biznesmenëve nuk ka pranuar të komentojë rreth akuzave.

Sipas njoftimeve Parnas dhe Fruman kanë ndihmuar zotin Giuliani të hetojë rreth akuzave për korrupsion ndaj ish-nënpresidentit Joe Biden dhe djalit të tij, Hunter Biden. Ata kanë ndihmuar zotin Giuliani të krijojë lidhje me qarqet më të larta politike në Ukrainë. Dhoma e Përfaqësuesve e cila po heton rreth ngritjes së akuzave për shkarkimin e presidentit, kishte planifikuar të zhvillonte seanca me zotin Parnas ditën e enjte dhe zotin Fruman të premten.

Arrestimet vijnë ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët ka nisur një hetim për shkarkimin e presidentit Trump.
Dy të pandehurit e tjerë, Andrey Kukushkin me origjinë nga Ukraina dhe amerikani David Correia përmenden gjithashtu në aktakuzë në lidhje me skemën për kontribute të paligjshme në fushatë.

Zoti Kukushkin është arrestuar dhe do të paraqitet në gjykatën federale në San Francisko më vonë gjatë ditën së enjte ndërsa Correia ndodhet në arrati.

Voa